Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave po zhvillohet më shpejt se sa ishte planifikuar fillimisht, duke hapur mundësinë që rezultatet përfundimtare të shpallen para datës 19 janar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar në emisionin “FIVE” në televizionin Dukagjini se dinamika e punës në qendrat komunale të numërimit ka tejkaluar pritjet e institucionit.![]()
Sipas tij, përfundimi i aktiviteteve në qendrat komunale të numërimit ishte paraparë të bëhej deri më 7 janar, por tashmë pritet të përmbyllet që më 3 janar. “Dinamika e punës ka qenë më e shpejtë se sa planifikimet tona fillestare,” tha Elezi.
Ai shtoi se edhe numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe atyre të dërguara me postë, i paraparë të përfundojë më 7 janar, ka nisur më herët. Po ashtu, numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, i planifikuar të fillojë më 16 janar, pritet të nisë para kësaj date.![]()
Elezi theksoi se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, si subjektet politike ashtu edhe kandidatët kanë të drejtë ankese, sipas procedurave ligjore në fuqi.
“Duke marrë parasysh ecurinë aktuale të procesit, rezultatet përfundimtare që ishte planifikuar të shpallen më së largu më 19 janar, mund të shpallen shumë më herët,” tha ai.










