Ish-prokurori special Elez Blakaj, i cili kishte qenë duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së, është lajmëruar nga ShBA-ja, pasi iu përmend emri të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë seancës së sotme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një debati goxha të ashpër iu drejtua kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt se Blakaj është detyruar të lëshojë vendin për shkak të tij.
“Ndoshta ju kujtohet të gjithëve që në Kosovë një prokuror special është detyruar të lëshoj vendin për shkak teje zotëri Haradinaj sepse sa ke qenë kryeministër i ke kërkuar raport me shkrim që brenda 30 dite të jap raport për atë që ka në adresim ish prokurori Elez Blakaj. Kjo është ndërhyrja brutale në sistemin e drejtësisë pasi si kryeministër nuk ke të drejtë t’i kërkosh llogari Prokurorisë. Për shkak teje ai nuk është mbrojtur”, ishte shprehur Haxhiu.
Prandaj, Blakaj tha se niveli i debatit në Kuvendin e Kosovës është i neveritshëm, e njashtu edhe nëpër studio televizive dhe “media të ndryshme” kur flitet për drejtësi, transmeton Paparaci.
Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special në gusht të vitit 2018 dhe ishte larguar nga Kosova, pasi qe ankuar për presion gjatë punës së tij.
“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikes së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizone të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik”, shkroi ai në Facebook.
“Secili qytetar, në veçanti institucionet duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën veper penale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet kompetente në të gjitha fazat e procedurës në interes të zbardhjes së rastit, pavarësisht kush është emri i përveçëm e/i të dyshuarit e poashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë”, shtoi Blakaj.
Sipas tij, “është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi”.
“Madje të gjithë këta përfitues, lutën vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë! Andaj, sa më pak që flitet dhe komentohet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të kemi! Ndërsa për të gjithë gazetarët, në veçanti për gazetarët hulumtues, kërkoni informacione për fatin e mijëra lëndëve të regjistruara si PPN (penale të ndryshme).… e frikshme si trajtohën dhe çfarë fshihet aty”.