Elbert Krasniqi denoncohet për kanosje, avokati thotë se është politike, qytetari e akuzon se ia tregoi edhe armën

Ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, po dyshohet për kanosje.

Hetimet ndaj tij kanë nsiur nga Prokuroria Themelore në Pejë.

“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, thanë nga Prokuroria në Pejë.

Në një prononcim, Riza Murati, që e raportoi Krasniqin për kanosje, ka dhënë versionin e tij për rastin dhe ka treguar detaje se çka ndodhi atë ditë.

Murati tha se atë ditë djali i tij kishte pësuar aksident trafiku dhe vetura e të njëjtit ishte e ndalur, derisa policia të arrinte në vendin e ngjarjes.

Por, sipas tij, ministri Krasniqi ka pretenduar se po i pengon në rrugë dhe ka kërkuar largimin e saj, gjë të cilën Murati e ka refuzuar, për shkak se po priste policinë.

“Të dielën në orën 12:00 ka ardhë djali të më marr në punë, atë ditë dhe ka ndodhur një aksident, i ka ra njëri me kerr djalit dhe i kemi thirrë policinë, ndërkohë ka ardhur ky personi ka dalë nga kerri, unë se kam njohur se ka qenë Ministër, na ka thënë ta largoni kerrin prej aty. Unë i thash “nuk bën të largohet vetura prej aty, pa ardh policia nuk bën të hiqet kerri prej vendit të ngjarjes”, tha ai.

Momenti kulminant i kësaj ngjarje, sipas Muratit ka qenë ai kur ministri i Kurtit, pozitë për të cilën ky as nuk e dinte se e kishte, ia kishte treguar armën që mbante në brez.

Ky veprim i Krasniqit e ka frikësuar Muratin, por edhe të birin e tij, njofton Klankosova.tv.

“Si u afruam ai u qart krejt, i çoi duart, mos mu afroni, i thash asgjë nuk po të bëjmë po kerri nuk bën të largohet. Një femër që kish qenë me të në kerr, shofere, doli e qiti kokën në dritare tha “a e dini kush është ky”.

“Ndërkohë, ky personi njërën dorë e ka çu lart, me tjetrën e ka çu jaknen me ma tregu armën. Mua ma merr mendja që ka mendu që ne duam ta rrahim ose ta kanosim, vetëmbrojtje, apo me na tut neve a. Kur e nxori armën unë u befasova, u tuta prej tij, u tut djali”, ta Murati për Klan Kosovën.

Ai tha se targat e veturës i kishin fotografuar dhe i kishin dërguar në polici, por derisa kanë reaguar gazetarët, policia nuk i kishin treguar se personi në fjalë është ministër në detyrë.

Murati u shpreh se ka dhënë deklaratë në polici dy herë, derisa tha se tani që e di se është ministër, po ndihet i rrezikuar.

“Kur ministri sillet si të jetë rrugaç, qysh mos me u ndi”, u shpreh ai, duke thënë se më e udhës kishte qenë që Krasniqi të ndalej e të pyeste për ndihmë.

“Unë frikësohem se kta VV-ja e kanë në dorë krejt, këta bëjnë çka të duan vet”, tha ai, duke menduar se rasti i tij nuk do të trajtohet si duhet në polici.

“Çka kam unë, asgjë s’kam hiç. Unë jam thjesht një bujk”, përfundoi Murati.

Megjithatë, avokati i Krasniqit i ka mohuar këto akuza. Ai ka thënë se janë politike.

“Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës të cilën kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati për Betimi për Drejtësi.

Ai shtoi se në momentin e ngjarjes, Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët.

“E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm”, tha Kastrati.

Sipas avokatit, denoncuesit e rastit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe se dyshohet që rasti është politik ngase jemi në prag të zgjedhjeve.

“Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë gjë që perforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve”, tha Kastrati.