“El Clásico” e tij e parë si kujtim mjaft i hidhur për francezin, Mbappé kundër “kurthit” të Flick

Sezoni i parë i Mbappé te Real Madridi nisi me vështirësi, por përfundoi në mënyrë mbresëlënëse: 44 gola, “Këpuca e Artë” dhe statistika të jashtëzakonshme, ndonëse pa trofe madhorë. Fillimi, megjithatë, nuk ishte aspak i lehtë. Një nga momentet më të ndërlikuara ndodhi në “El Clásico” e 26 tetorit 2024 në “Bernabéu”, pikërisht një vit para sfidës së kësaj të diele mes madrilenëve dhe katalanasve. Këtë herë, situata është krejt tjetër. Mbappé është plotësisht i konsoliduar si lider i skuadrës dhe ka shënuar 15 gola në 12 ndeshje të këtij sezoni.

Ndaj Juventusit nuk gjeti rrjetën, por pati disa raste të mira, vetëm pritjet e jashtëzakonshme të Di Gregorios e penguan të linte gjurmë. Ndërkohë, sezonin e kaluar e mësoi mirë shijen e “El Clásico”. Pas humbjes 4-0 në Madrid, reagoi me 5 gola kundër Barcelonës në ndeshjet e Superkupës (1), Kupës së Mbretit (1) dhe kthimin e kampionatit (3). Një mesazh i qartë për rivalin e përjetshëm. Sidoqoftë, “El Clásico” e parë mbeti një kujtim i hidhur për të. Mbappé ra në pozicion jashtë loje plot 8 herë, duke u bërë “viktimë” e skemës së Hansi Flick me mbrojtje të avancuar.

Dy gola iu anuluan, një për centimetra, tjetri qartësisht. Gjatë gjithë sezonit, ai nuk e përsëriti më atë shifër. Ndeshja e dytë me më shumë pozicione jashtë loje ishte kundër Valencia (4). Francezi e mbylli sezonin me një mesatare prej 0.93 “offside” për ndeshje, duke pasur si objektiv përmirësimin e këtij aspekti. Në këtë sezon, pas një episodi të ngjashëm ndaj Mallorca (tri herë jashtë loje, dy gola të anuluar), Xabi Alonso komentoi me qetësi: “Faktin që nuk ka shënuar nuk më shqetëson fare. Janë çështje që mund të përmirësohen me stërvitje”.

Dhe përmirësimi ka ardhur. Aktualisht Mbappé ka një mesatare prej 0.92 “offside” për ndeshje, pothuaj identike me sezonin e kaluar, por me ulje të ndjeshme në ndeshjet e fundit, vetëm 7 herë në 9 takime (0.78 për ndeshje). Në duelin me Villarrealin, që mbron lart si Barça, nuk u kap asnjëherë jashtë loje. Një tjetër tregues se Mbappé ka mësuar si të mos bjerë më në “kurthin” e Flick.

 

The post “El Clásico” e tij e parë si kujtim mjaft i hidhur për francezin, Mbappé kundër “kurthit” të Flick appeared first on Telesport.