Ekstradohen nga Shqipëria në Kosovë dy të dyshuar që kishin urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë sot ekstradimin e dy shtetasve të Kosovës nga Shqipëria, të cilët kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe kërkoheshin nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Grabitje” dhe “Vjedhje grabitqare“.

Ekstradimi thuhet se u realizua përmes pikës kufitare Vërmicë, falë bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

“Të dyshuarit pas ekstradimit të tyre janë dërguar në njësitet përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

Policia e Kosovës do vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.