Ekstradohen dy persona nga Shqipëria, një për në Turqi dhe tjetri për në Greqi

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se janë ekstraduar dy persona një për në Turqi dhe një për në Greqi.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në Turqi u ekstradua një shtetas i dënuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. Kurse, në Greqi u ekstradua një shtetas i akuzuar për ndërmjetësim për birësim të kundërligjshëm.

“Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Ankarasë dhe Interpol Athinës, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, të shtetasve: Burak Kara, 39 vjeç, i lindur në Turqi, sepse Gjykata e Mersin, në vitin 2022, e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet e 4 muaj burgim, pasi në vitin 2011, në gjendje të dehur, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me një shtetase turke, në banesën e një shtetaseje tjetër, gjithashtu turke, në Mersin. Nga dënimi, 39-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e gjysmë burgim”.

“I. A., 59 vjeç, i lindur në Bullgari, sepse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Athina, mbi akuzën se në bashkëpunim me të tjerë, gjente gra shtatëzënë (në vështirësi ekonomike), të cilat i çonte në Greqi për të lindur dhe më pas ndërmjetësonte për dhënien e foshnjës, për birësim. Nga kjo veprimtari kriminale ky shtetas dyshohet se ka përfituar 2000-4000 euro/rast. Ai është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Korçës”, thuhet në njoftim.