Ekspozita për shqiptarët që shpëtuan hebrenj nxit përplasje në Londër
Prishtinë, 18 janar − Ekspozita që nderon shqiptarët myslimanë, të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit, e cila ka qenë dashur të hapej në “Golders Green”, është detyruar të gjejë një lokacion të ri, në anën tjetër të Londrës, kanë raportuar mediat britanike. E titulluar “Love Your Neighbour” (Duaje fqinjin tënd), siç është raportuar edhe më herët ishte planifikuar të mbahej në “Golders Green Hippodrome”, nga data 6 janar – por u anulua, pas kritikave e përplasjeve të shumta që kanë shpërthyer që prej fillimit të muajit kur u paralajmërua ekspozita. “Tani do të zërë vend në një lokacion, ende të pazbuluar saktë, në lindje të Londrës, në “Redbridge”, më 20 janar”, ka shkruar të enjten “The Time”.
Ekspozita mbështetet nga “Yad Vashem”, memoriali i parë zyrtar i Izraelit për Holokaustin. Siç shkruan kjo e përditshme, Simon Bentley, udhëheqës i degës britanike të fondacionit “Yad Vashem”, ka thënë se “Yad Vashem, si Qendër Botërore Përkujtuese e Holokaustit, është e angazhuar të nderojë jo-hebrenjtë të cilët kishin rrezikuar jetën e tyre për t’i shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit”.
Ai ka shtuar se “ekspozita nxjerr në pah këta njerëz të anës së drejtë të kombësive të ndryshme, duke u fokusuar te myslimanët shqiptarë, të cilët kanë shpëtuar qindra jetë hebrenjsh gjatë Holokaustit”.