Eksplodim i fuqishëm në Kaçanik – një person i lënduar, dëme të mëdha materiale në fabrikën e oksigjenit

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot paradite në fshatin Nikaj të Kaçanikut.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Lajmi.net se rasti është raportuar rreth orës 11:40, në afërsi të një pompe të derivateve në rrugën magjistrale Kaçanik–Ferizaj.

“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombol gazi,” ka bërë të ditur Veseli

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore, shërbimet emergjente mjekësore dhe ekipi i zjarrfikësve.

“Në këtë rast një person ka mbetur i lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fabrikën për mbushje të bombolave të oksigjenit,” ka shtuar ai.

Personi i lënduar është trajtuar fillimisht në qendrën emergjente të Kaçanikut dhe më pas është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë.

Veseli ka bërë të ditur se njësitet policore dhe ekipet relevante ndodhen ende në vendin e ngjarjes, ku po zhvillohen hetimet për ndriçimin e plotë të rastit.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit,” ka konfirmuar ai./lajmi.net/