Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimi në rastin e vrasjes së 26 vjeçarit Auron Thaqi, ku të akuzuar janë Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.
Në seancën e sotme dëshminë e saj e dha ekspertja e mjekësisë ligjore, Bergita Curri, e cila bëri raportin e autopsisë së trupit të të ndjerit, shkruan KosovaPress transmeton Klankosova.tv.
Para trupit gjykues, ajo deklaroi se plaga vdekjeprurëse që shkaktoi vdekjen e Auron Thaçit është plaga në regjionin e përparmë të kërllokullës apo kofshës së djathtë.
Curri theksoi se gjakderdhja e shkaktuar nga kjo plagë ka çuar në vdekjen e tashmë e të ndjerit
Krahas kësaj plage, ekspertja mjeko-ligjore, gjatë dëshmisë së saj tha se Auron Thaçi kishte edhe një plagë tjerë në shpinë e cila nuk kishte depërtuar në asnjë strukturë përveç lëkurës dhe indit nën lëkuror.
“Nga të gjeturat gjatë ekzaminimit të trupit në autopsi ku përveç dëmtimit në regjionin femoral të djathtë është evidentuar edhe një plagë shpuese në pjesë e sipërme të shpatullës së majtë. Nga ekzaminimi i organeve të brendshme dhe vitale nuk është gjetur asnjë shkaktar tjetër përveç gjakderdhjes dhe shokut hemoragjik… Plaga vdekjeprurëse ka qenë plaga në regjionin e përparmë të kofshës së djathtë, ndërsa plaga e përshkuar në pikën dy tek ekzaminimi i jashtëm ka qenë tërësisht e parrezikshme”, tha ajo.
Avokati i familjarëve të viktimës, Esat Gutaj tha se ekspertizës është dashur t’i bashkëngjitej fotoalbumi, ndërsa kërkoi të dijë detaje për plagët që kishe marrë i ndjeri në natën kritike, detaje këto të cilat i paraqiti para trupit gjykues ekspertja mjeko-ligjore, transmeton Klankosova.tv.
E pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se me çfarë mjete iu shkaktuar plagët tashmë të ndjerit, ekspertja mjeko-ligjore, Bergita Curri tha se plaga e dytë në shpinë mund të jetë shkaktuar nga ndonjë kaçavidë, por nuk e përjashtoi që edhe plaga vdekjeprurëse të jetë shkaktuar nga mjet i ngjashëm.
Specialistja e Mjekësisë Ligjore mohoi mundësinë që vdekja e të ndjerit Auron Thaçi ka mund të ndodhë për shkak të neglizhencës së profesionistëve shëndetësorë.
Përveç dy të akuzuarve, Enes Ay dhe Hajrullah Brcanin, në seancën e sotme e pranishme ishte edhe nëna e të ndjerit, Esmarie Gashi e cila tha se sot mësoi që djali i saj kishte dy plagë në trup.
Ajo mes lotësh kërkon burg të përjetshëm për të akuzuarit që dyshohet se ja vranë djalin e saj.
“Dy herë që kanë që e kanë shpërthyer unë sot e mora vesh… Ata ta marrin dënimin e duhur – burg të përjetshëm”, tha ajo.
Në fund të seancës së sotme mbrojtja e Hajrullah Brcanit kërkoi lirimin e klientit të tij nga masa e paraburgimit.
26-vjeçari Auron Thaqi humbi jetën pasi u godit me thikë nga një person, në qytetin e Prizrenit.
Dyshohet se pasi u ther me thikë, Auroni u hodh në rrugë nga një veturë në lëvizje.
Ai vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk arriti tu mbijetonte plagëve të marra, në korrik të 2024-tës.