Medain Hashani, ekspert i ekonomisë, ka deklaruar për “Front Online” se kjo Qeveri ka mungesë të programit të qartë buxhetor dhe njëkohësisht ka keqmenaxhim të fondeve publike.
“Kjo Qeveri ka treguar se nuk ka një program të qartë për planifikimin e buxhetit edhe për shpenzimin e tij. Mungesa e shpenzimit të buxhetit për investimet kapitale ka ndikuar në mungesën e programit qeveritar dhe keqmenaxhimit të buxhetit që e kanë bërë nëpërmjet mos shpenzimit të tij”, deklaroi ai.
Sipas tij, Qeveria Kurti i ka shkaktuar dëm buxhetit rreth 1 miliard euro.
“Nga fillimi e deri tani kjo qeveri ka pasur një ngecje në shpenzimin e parasë publike se ka pasur suficit të vazhdueshëm dhe nëse ne mund të matim për katër vite kjo qeveri rreth 1 miliard euro i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit për shkak të keqmenaxhimit të tij”, u shpreh ai.
Ai ka shtuar se pushteti aktual po orienton ekonominë kah e majta ekstreme.
“Kjo qeveria ka ngec në shumë projekte të mëdha si autostrada e Gjilanit, Mitrovicës, Podujevës të cilat nuk i ka kryer si projekte dhe kanë shkuar gati 5 vite. Qeveria me ndikimin e saj është duke u orientuar kah e majta ekstreme se nëse vazhdon me këtë trend do të kemi ndërmarrje shtetërore dhe mbylljen e atyre private”, ka thënë Hashani për “Front Online”.











