Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka anuluar vendimin e KQZ-së që e kishte refuzuar certifikimin e saj, ekziston mundësia që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Vendimi i PZAP-it ka ngjallur reagime të ashpra nga njohës të sigurisë, të cilët e konsiderojnë këtë subjekt politik si kërcënim për sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, disa nga përfaqësuesit e saj janë të përfshirë në aktakuza për dhunë ndaj gazetarëve dhe pjesëmarrje në protesta të dhunshme në veri të vendit.
Javën që shkoi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi certifikimin e subjektit politik Lista Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, me arsyetimin se kandidatët e kësaj liste përbëjnë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e KQZ-së arsyetuan vendimin duke theksuar se Lista Serbe është dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe ka qenë aktive në protesta dhe barrikada në veri të vendit, shpesh në kundërshtim të hapur me institucionet e Kosovës.
Një nga rastet më të përfolura është ai i Slavko Simiqit, i cili akuzohet për pjesëmarrje në protestën e 16 majit 2023 në Leposaviq, ku protestuesit serbë ushtruan dhunë kundër gazetarëve.
Sipas aktakuzës, Simiq ishte pjesë e një turme që përdori mjete të rrezikshme si kube betoni, shok bomba dhe mjete të tjera për të sulmuar gazetarët, duke lënë dy prej tyre me lëndime të rënda.
Slavko Simiq, një nga figurat kryesore të Listës Serbe, është përballur me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje në protestën e dhunshme të 16 majit në Leposaviq, ku protestuesit sulmuan gazetarët. Për këtë rast, edhe i pandehuri U.V. është akuzuar për ‘sulm’ dhe ‘huliganizëm’.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, e sheh pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje si përpjekjen e fundit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për t’i minuar institucionet demokratike të Kosovës. Sipas tij, kjo parti është krah politik i grupit të Radoiçiqit, të cilin e cilëson si organizatë terroriste dhe kriminale.
“Ata janë krah politik i grupit të Radoiçiçit, pra të grupit terrorist. Dhe çdo veprim i grupeve ekstremiste e kriminale të dirigjuara nga Aleksandër Vuçiçi, përmes Radoiçiçit, do përpjekje të marrë fuqi nga Lista Serbe. Ky do të jetë një gaf ose një gabim i të gjithë atyre të cilët e përkrahin që Lista Serbe të jetë në ato zgjedhje. Jo vetëm Lista Serbe, por edhe Alternativa Demokratike, të dyja këto parti kanë treguar se janë kundër interesave të Kosovës, kundër sovranitetit të vendit. Këto ligjërisht do të duhej t’u ndalohej me ligj, sikurse në vendet tjera demokratike, ku shumë parti, jo vetëm në SHBA, por edhe Anglia, Holanda dhe të tjera, partive ekstremiste, të cilat duan të minojnë një shtet, siç është Lista Serbe, bën përpjekje vazhdimisht ta minojë demokracinë dhe tenton të bëjë një shkëputje të një pjese të territorit. Atyre do të duhej t’u ndalohej me ligj dhe unë mendoj që ata mund të paraqesin rrezik për të ardhmen dhe do të ketë shumë punë për institucionet e republikës së Kosovës”, tha Islami.
Një tjetër njohës i sigurisë, Nuredin Ibishi, e ndan çështjen në dy pjesë: administrative dhe gjyqësore. Derisa thotë se është e qartë dhe publike që Lista Serbe përçon interesat e Beogradit dhe ka qenë e përfshirë në barrikada dhe protesta në veri të Kosovës.
“Së pari duhet ndarë çështjen administrative që shkon përmes KQZ-së, dhe ajo ka vendosur në faqen e parë që të mos e certifikojë mandej në PZAP u vendos që, me rekomandim, KQZ ta certifikojë Listën Serbe. Këtë duhet ndarë në aspektin e dosjeve kriminale apo kundërvajtjes, shkon procedura gjyqësore. Nëse ka nga Lista Serbe persona që janë të kriminalizuar apo kanë dosje, atëherë shkon në proces gjyqësor, prokurori merret me atë deri në përfundim të procedurës. Domethënë pa paragjykuar në këtë drejtim, duke e ditur në këtë drejtim, duke e ditur botërisht se Lista Serbe është përçuese e të gjitha interesave dhe shumë pjesëtarë të saj kanë marrë pjesë edhe në bllokada në pjesën veriore të kufirit duke qenë e strukturave”, tha Ibishi.
Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim në favor të Listës Serbe. Ky vendim anulon refuzimin e certifikimit nga ana e KQZ-së, me arsyetimin se disa nga kandidatët nuk kishin pengesa ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje.
Vendimi i PZAP-së e lejon pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 12 tetorit, por situata mbetet e tensionuar. Me akuza të rënda, aktakuza të ngritura dhe sfida të vazhdueshme për sovranitetin, institucionet e Kosovës do të përballen me një proces zgjedhor të ndjeshëm dhe të kontestuar.
The post Ekspertët e sigurisë: Lista Serbe, rre*zik për stabilitetin appeared first on Kosovapost.net.