Ekspertët e OKB-së thanë se forcat izraelite po shkatërrojnë me qëllim sistemin shëndetësor të Gazës, në atë që cilësohet si “mjekvrasje”, si dhe akuzuan Izraelin se po vë në shënjestër dhe po i lë në uri punonjësit shëndetësor për të zhdukur shërbimet mjekësore në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.
“Si qenie njerëzore dhe si ekspertë të OKB-së, nuk mund të qëndrojmë të heshtur përpara krimeve të luftës që po kryhen para syve tanë në Gaza”, thanë në një deklaratë Tlaleng Mofokeng, raportuesja speciale për të drejtën e shëndetit dhe Francesca Albanese, raportuesja speciale për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967.
“Përveç se po dëshmojmë një gjenocid në vazhdim, ne gjithashtu po dëshmojmë një ‘mjekvrasje’, një përbërës i errët i krijimit të qëllimshëm të kushteve të llogaritura për të shkatërruar palestinezët në Gaza, gjë që përbën akt gjenocidi”, shtuan ato.
Ekspertët thanë se punonjësit shëndetësorë janë “vazhdimisht të shënjestruar, të ndaluar, të torturuar dhe tani, ashtu si pjesa tjetër e popullsisë, po lihen në uri.”
OKB-ja ka raportuar për raste kur stafi mjekësor ka rënë pa ndjenja nga uria, duke minuar aftësinë e tyre për të trajtuar pacientët.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga 7 tetori i vitit 2023 deri më 11 qershor të vitit 2025, ka pasur 735 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Gaza, duke vrarë 917 persona, duke plagosur 1.411 të tjerë dhe duke dëmtuar 125 objekte shëndetësore, përfshirë 34 spitale.
“Sulmet e qëllimshme ndaj punonjësve shëndetësorë dhe objekteve shëndetësore, të cilat janë shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare, duhet të ndalen menjëherë”, thanë ato, duke bërë thirrje për një armëpushim si “hapin e parë për ta mbajtur Izraelin përgjegjës” dhe për të parandaluar “shfarosjen” e popullsisë së Gazës.
Izraeli po përballet me një valë në rritje dënimesh për luftën gjenocidale në Gaza, ku ka vrarë të paktën 61.700 njerëz që nga tetori i vitit 2023.
The post Ekspertët e OKB-së akuzojnë Iz*raelin për kryerjen e “mjekvr*asjes” në Ga*za appeared first on Kosovapost.net.