Ekskluzive | Votat që u tërhoqën kundërligjshëm nga Martin Berishaj nuk do të numërohen nga KQZ

Sjelljet prej kaubojsi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po lënë pasoja direkte në votimin jashtë Kosovës.

Zarfet me vota që u tërhoqën nga posta në Zagreb në kundërshtim të plotë me procedurat e KQZ-së, nuk do të numërohen nga ky institucion.

Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht nga burime brenda KQZ-së se këto zarfe nuk do të numërohen pasi që ato janë tërhequr pa përfillur procedurat.

“Tërheqja e këtyre zarfe jashtë çdo procedure dhe ato nuk do të numërohen”, ka thënë ky burim për Demokracia.

Janë 30 zarfe me vota dhe dyshohet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është i përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të tyre.

Lajmi doli në media në 6 shkurt, pak ditë para zgjedhjeve.

Në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës.

Skandaloze: Martin Berishaj i merr zarfat me vota nga posta dhe i dërgon në ambasadë

Pas këtij skandali, KQZ kishte mbajtur mbledhje, por kryetari i këtij institucioni nuk kishte qenë në gjendje të tregonte se çka kishte ndodhur.

“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht ende nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Mbeten të vërtetohen në fazat e mëvonshme”, kishte thënë Kreshnik Radoniqi kur u pyet nga gazetarët me të përfunduar mbledhja e KQZ-së më 7 shkurt.

Radoniqi kishte treguar se bëhet fjalè për 30 vota.

Procedurat e KQZ-së lejojnë tërheqjen e fletëvotimeve nga postat vetëm pasi që të njoftohen vëzhguesit e akredituar.

Kjo procedurë nuk është ndjekur nga ambasada e Kosovës në Zagreb.

Me 6 shkurt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.

Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penalr që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.” / Demokracia.com /

Nisin hetimet ndaj Martin Berishajt, dyshohet se i çoi votat e diasporës në Ambasadë