Refuzimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për ta dëgjuar këshillën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për pezullimin e taksës, ka sjellur së fundmi edhe një delegacion të lartë të administratës amerikane për vizitë në vendin tonë. Burime të besueshme të Periskopit, nga takimi që kanë zhvilluar dje delegacioni amerikan me liderët e shtetit dhe nga takimet që kanë vazhduar edhe sot, bëjnë të ditur një detaj, i cili jep sinjalin e fundit që SHBA mund të vazhdojë me sanksione edhe më të mëdha – deri në mospërjashtimin e mundësisë së heqjes së bazës së Bondstilit në Kosovë….
John Earth dhe Brad Berkley, janë dy zyrtarët e lartë amerikanë, që dje kanë arritur për vizitë në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme, ata janë takuar me presidentin e Kosovës. Në këtë takim, dy zyrtarët e lartë amerikanë, kanë ripërsëritur mesazhin e qartë të Shtëpisë së Bardhë, atë se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet dhe t’i hapet rrugë dialogut.
Derisa Earth dhe Berkley kanë zhvilluar takime edhe gjatë ditës së sotme (e enjte) me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin – bashkëkryesues të Delegacionit Shtetëror me Serbinë, burime të Periskopit nga këto takime, kanë dhënë detaje lidhur me mesazhet që kanë sjellur dyshja e lartë amerikane në Prishtinë.
Kështu, burime të besueshme të Periskopit, kanë thënë se Earth dhe Berkley, veç tjerash u kanë thënë zyrtarëve kosovarë, se ‘në rast se vazhdon një refuzim i tillë siç po ndodh tani nga ana e palës kosovare, për pezullimin e taksës, amerikanët nuk e përjashtojnë mundësinë edhe të largohen nga baza e Bondstillit në Kosovë’.
“Një nga mesazhet e tyre ka qenë edhe ai që amerikanët nuk e kanë përjashtuar mundësinë – që nëse vazhdon refuzimi i palës kosovare për pezullimin e taksës – ata nuk e përjashtojnë mnudësinë që të largohen edhe nga baza e Bondstillit”, ka thënë ky burim i besueshëm i Periskopit nga takimi.