Ekrem Peci pranon se mori grant në vlerë 80 mijë euro

Ekrem Peci, njëri nga përfituesit e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, ka pranuar publikisht se ka qenë përfitues i granti prej 80 mijë eurosh, por ka mohuar kategorikisht çdo keqpërdorim.

Sipas tij, investimi në pemishten me 4 hektarë arra është bërë vite para se të përfitohej granti dhe procedurat e aplikimit janë respektuar në tërësi.

Ai pretendon se çdo kriter është vlerësuar nga ekspertët dhe se përzgjedhja nuk ka pasur ndikim.

“Bëhet fjalë për një investim familjar, ku kemi blerë prona në fshatin tonë dhe kemi mbjellë mbi katër hektarë arra. Këto janë mbjellë në vitin 2019. Kam aplikuar në vitin 2019-2020, më është refuzu. Në vitin 2021-22 e kam marrë një grant i cili më ka taku dhe u folë nëpër portale të ndryshme. Çdo procedurë e cila është bërë përzgjedhja – i kam plotësuar të gjitha kushtet. Po flas prej regjistrimit të biznesit, investimit në ara që ka qenë i mëhershëm, deri në ditën e përzgjedhjes – të cilën përzgjedhje e kanë vlerësuar ekspertë se a më takon a jo. Mirëpo ju po e shihni edhe vetë plantacionin, po i shihni vendet. Investimet i kemi bërë me mjete vetanake. Një ndihmë e mirësëardhur ka qenë prej ministrisë së Bujqësisë, të cilët i falënderoj pavarësisht kush ka qenë” – ka deklaruar ai për UlpianaPress.

Në vitin 2022, ai kishte siguruar subvencion prej 80 mijë eurosh, në projektin e investimit me mekanizëm bujqësorë në një pemishte ekzistuese me kulturë të arres me sipërfaqe prej 4 hektarsh si dhe energjisë së ripërtëritshme.

Nacionale kishte kontaktuar z.Ekrem Peci, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në asnjë prej pyetjeve tona, përveç se na kërkoi të mos e pengojmë.

A ka mundësi mos me m’pengu? Po jo veç pak, a ka mundësi mos me m’pengu?” – thotë Ekrem Peci për Nacionalen.