Ekonomisti Adem Qorolli i cili nga një komentues u kërcënua me “plumb pas qafe” ka reaguar pas seancës gjyqësore për rastin, për çka tha se në gjykatore nuk ia fali kërcënuesit të vet.
Tha se dëmshpërblimin që do ta kërkojë nga Gjykata do ta dhurojë për bamirësi.
Postimi i plotë:
Sot, së bashku me avokatin tim Arben Rrahmani , isha në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën gjyqësore lidhur me kërcënimin e bërë ndaj meje nga bashkatdhetari I. Nikqi, i cili kishte përdorur edhe citime për “dy plumba pas qafe” pas prononcimit tim medial në emisionin EuroT7 me Menduh Abazin në televizionin T7.
Ajo që më befasoi ishte fakti se ai fliste shqip dhe ishte shqiptar. Pavarësisht kërkesave të tij për falje gjatë procesit, parimet e mia dhe besimi në institucione më obligojnë të theksoj se unë nuk fal dhe nuk di të fal në raste të tilla.
Falënderoj institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për kujdesin dhe mbrojtjen e ofruar ndaj meje dhe familjes sime.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha përfaqësitë diplomatike në Kosovë, mediat, organizatat e biznesit dhe ju miqtë e mi, për kujdesin dhe mbështetjen e treguar deri në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta: një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, të lirë — veçanërisht të lirë në fjalë dhe shprehje.
Gjithashtu, dua të bëj të ditur se të gjitha të ardhurat nga kompensimi për dëmet e shkaktuara në këtë rast do t’i dedikohen organizatave të bamirësisë dhe atyre që mbështesin të drejtat e grave në punësim dhe zhvillim ekonomik.
Me respekt,
Dr. Adem Qorrolli
Ekspert i Ekonomisë











