Kosova po blen shumë më tepër nga jashtë sesa po arrin të shesë jashtë vendit, dhe peshorja e tregtisë është dukshëm e anuar.
Gjatë vitit 2025, eksportet kanë mbuluar vetëm 12–14 për qind të importeve. Në terma të thjeshtuar: për çdo 100 euro mallra që fusim në vend, vetëm rreth 12–14 euro po i mbulojmë me shitje jashtë, duke ushqyer një deficit që zgjerohet muaj pas muaji.
Muaji korrik ishte më i rëndi i vitit: deficiti tregtar arriti 576,4 milionë euro. Importet ishin 660,2 milionë euro, ndërsa eksportet vetëm 83,8 milionë euro. Mbulimi ra në 12,7 për qind. Krahasuar me korrikun 2024, importet u rritën me 13,5 për qind, kurse eksportet ranë me 2,4 për qind.
Gushti nuk qe aspak më pozitiv: deficit 536,8 milionë euro, me eksport 76,2 milionë dhe import 613,1 milionë. Eksportet ranë në 8,7 për qind nga viti i kaluar, teksa importet u rritën 5,3për qind. Mbulimi i importit ra në 12,4për qind – niveli më i ulët i vitit.
Rrejdhë negative qysh në tremujorin e parë.
Në mars, deficiti u ngjit në 535,7 milionë euro, me eksport 74,7 milionë kundrejt importit 610,5 milionë; mbulimi ra në 12,2për qind, përderisa eksportet ranë 7,2për qind nga vjet dhe importet u zgjeruan me 17,3për qind.
Janari dhe shkurti nuk sollën asgjë më pozitive: deficite prej 414,1 dhe 451,4 milionë euro, me mbulim 12,6 për qind dhe 13,0 për qind – ndërkohë që importet nuk e ndalën sprintin dyshifror.
Fillimi i verës i përkeqësoi numrat.
Në prill, deficiti arriti 492,3 milionë euro (mbulim 13,0 për qind); në maj 523,4 milionë (mbulim 13,5 për qind); në qershor 498,3 milionë (mbulim 13,9 për qind).
Ndonëse qershori pak pozitiv – me një rritje më të ndjeshme të eksporteve – raporti i mbulimit mbeti i brenda 12–14 përqindshit, për të zbritur sërish në korrik e gusht.
Shifrat e 2025-ës tregojnë se, teksa importet vazhdojnë të rriten, eksportet vazhdojnë të mbesin tejet të luhatshme.
Tregtia në 2024
Në vitin 2024, vlera e gjithsej mallrave të importuara arriti në 6.4 miliardë euro.
Nga ana tjetër, ndonëse eksportet u rritën me 9.3 për qind, duke arritur në 943.6 milionë euro, rritja mbetet statistikisht e vogël dhe strukturalisht e pamjaftueshme për të zbutur deficitin tregtar, i cili vazhdon rritjen eksponenciale.
Sipas BQK-së, importet përfaqësojnë 61.8 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke e ekspozuar vendin ndaj një varësie të thelluar nga tregjet e huaja, që shton ekspozimit e Kosovës ndaj presioneve inflacioniste.
Pikërisht në këtë kontekst, BQK parashikoi për një normë më të lartë inflacioni prej 3.3 për qind për vitin 2025, e ndikuar nga rritja e presioneve mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë elektrike.
“Varësia e ekonomisë së Kosovës nga importi i mallrave ushqimore dhe energjetike, si dhe pesha e lartë e këtyre mallrave në shportën e konsumit, ndikojnë që norma e inflacionit në Kosovë të përcaktohet në masë të madhe nga çmimet e mallrave të importuara ” – thuhet në raport.