Vetëm një vit pas transferimit të tij përfundimtar tek Eintracht Frankfurt, Hugo Ekitike është gati të shkruajë një kapitull të ri në Premier League. Sulmuesi francez, 23 vjeç, është praktikisht lojtar i ri i Liverpool-it, pas marrëveshjes së arritur mes dy klubeve. Dje ka fluturuar drejt Anglisë së bashku me agjentin e tij, Karl Mwalako, për të finalizuar transferimin.
Me 22 gola dhe 12 asistime në 48 ndeshje sezonin e kaluar, Ekitike ka treguar të gjithë potencialin e tij, duke tërhequr vëmendjen e Arne Slot, trajnerit të ri të Liverpool-it, i cili është në kërkim të një sulmuesi me karakteristika të ndryshme nga pjesa tjetër e skuadrës.
Në një intervistë për “L’Équipe”, Djibril Cissé, ish-lojtar i Liverpool-it dhe fitues i Champions League në vitin 2005, ka shprehur besim të plotë në përshtatjen e të riut francez: “Besoj se do të përshtatet mirë me lojën e ‘Reds’-ave.
Në rolin e tij, pak si një ‘target man’, në stilin e Peter Crouch nëse mund ta themi kështu, është i vetmi në skuadër. Trajneri do të dijë ta shfrytëzojë, por nuk duhet pritur të jetë titullar që në fillim. Përpara tij janë ende Salah dhe emra të tjerë të mëdhenj. Do t’i duhet të mësohet sidomos me intensitetin e futbollit anglez”.
Operacioni “Ekitike” përfshihet në një merkato ambicioze të “Reds”-ave, të etur për të vazhduar me fitoret dhe për t’u rikthyer në majën e Europës. Me profilin e tij fizik dhe teknik, francezi mund të shndërrohet në një alternativë të çmuar për një repart sulmues tashmë yjor.
The post Ekitike te Liverpool-i, “skaneri” i Cissé: Më duket si Crouch, mos prisni të jetë menjëherë titullar appeared first on Telesport.