Ekipi kosovar i xhudos gati për Grand Prix në Linz

Ekipi kosovar i xhudos do të garojë me tri sportiste në Grand Prix Upper Austria, që do të mbahet në Linz, Austri, nga data 7 deri më 9 mars 2025.

Ky turne prestigjioz do të mbledhë xhudistë nga 6 kontinente, 52 shtete dhe 416 garues, mes të cilëve 247 meshkuj dhe 169 femra.

Në këtë garë, Kosova do të përfaqësohet nga: Distria Krasniqi (-52 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Laurine Gashi (-52 kg)

Sipas programit të turneut, Distria Krasniqi dhe Laurine Gashi do të zbresin në tatami ditën e premte, ndërsa Laura Fazliu do të garojë të shtunën.

Sportistet kosovare janë udhëhequr në këtë turne nga trajneri dhe selektori Driton Kuka, si dhe trajnerja Majlinda Kelmendi, ish-kampionia olimpike

Grand Prix në Linz është një nga garat më të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar, duke shërbyer si një test i vlefshëm për xhudistet që synojnë të përmirësojnë renditjen e tyre dhe të përgatiten për ngjarjet madhore, përfshirë Lojërat Olimpike të vitit 2028