Egnatia kualifikim historik në raundin e tretë të Conference League

Egnatia ka shkruar një kapitull të ri në historinë e saj, duke u kualifikuar për herë të parë në një raund të tretë. Skuadra nga Rrogozhina, e drejtuar nga Edlir Tetova, ka eliminuar Dinamo Minsk nga Bjellorusia me rezultatin e përgjithshëm 3-0, duke siguruar një vend në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Pas fitores 2-0 në takimin e parë të zhvilluar në Bjellorusi, Egnatia konfirmoi epërsinë edhe në ndeshjen e kthimit, ku triumfoi 1-0 në stadiumin e vet. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Selmani, i cili vulosi kualifikimin historik të kampionëve të Shqipërisë.

Ky sukses është një moment historik për klubin rrogozhinas, që për herë të parë arrin të kalojë një fazë në kompeticionet europiane.