Edi Rama: Duam një drejtësi europiane, jo me paraburgim pa gjyq si në Rusi

“Ne duam drejtësi europiane dhe jo si në Rusi”. Kështu tha kryeministri i Shqiperisë Edi Rama, në një takim të zhvilluar sot me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në kryeqytet. Ai theksoi se PS është e para forcë në pushtet në Shqipëri, që i ka hequr pushtetit politik duart nga drejtësia.

“Për 5 vjet, unë i pari dhe gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët e mbyllur gojën, sepse pavarësia ka qenë kryesorja për të na garantuar pavarësinë. Por nuk është vetëm pavarësia është edhe profesionalizmi, edhe standardi demokratik. Ne duam drejtësi europiane jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë jo me paraburgim, pa gjyq”, tha Rama.

“Kjo sepse kemi dashur që më në fund Shqipëria të futej në sprovën e një drejtësie të pavarur që nuk e ka pasur kurrë dhe që të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se kjo është një betejë që socialistët e kanë barrë ta bëjnë, por duke garantuar vazhdimësinë, pavarësinë, paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Një parti si e jona, që dy mandate ka qeverisur e vetme, që i thotë drejtësisë: “Dil e pavarur dhe ja ku më ke dhe ha trupin tim nuk ka problem, rëndësi ka që të gjithë të bëhen të barabartë para ligjit, edhe sikur ti të kafshosh gabimisht”. Por kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi, megjithatë nuk ka një rrugë tjetër”, tha Kryeministri.