Banorët e Tuzit për herë të parë sot iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës.
Dita e sotme u konsiderua si ditë historike për shqiptarët që banojnë në Mal të Zi, por edhe për të gjithë ata që frymojnë shqip e që nuk janë aty.
Nikë Gjeloshaj ishte kandidati i zgjedhur si i përbashkët nga koalicioni i tri partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar.
Parulla e fushatës së këtij koalicioni ‘Forumi shqiptari’ ishte ‘Malësia na bashkon’.
Nga rezultatet jozyrtare deri më tani, Nikë Gjeloshaj doli fitues duke arritur të marrë tre mijë e 682 vota, apo rreth 50% nga totali i tyre.
DSP e Milo Gjukanoviçit ka marrë 2 mijë e 490 vota, ose 31 % të totalit, ndërsa Partia boshnjake ka marrë 960 vota, ose rreth 12 % të totalit.
Në bazë të gjitha publikimeve të deritanishme është e sigurt që Gjeloshaj do të jetë kryetar i ardhshëm i komunës së Tuzit, por që nuk dihet nëse shqiptarët do të arrijnë të marrin shumicën në këshill.
Tuzi renditet tani si komuna e dytë e Malit të Zi, e udhëhequr nga shqiptarët, pas Ulqinit.