Ish ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu ka lëshuar sinjale se partia në pushtet pritet ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Juristi i Lëvizjes Vetëvendosje tha të martën në mbrëmje se në momentin që nis votimi dhe shihet që në sallë nuk janë 80 deputetë, atëherë ata pritet ta pezullojnë procesin dhe ta dërgojnë rastin për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Nëse në ruandin e parë nuk votojnë 2/3 e deputetëve për zgjedhjen e Presidentit, ruandi i parë do të jetë i pavlefshëm. Kësisoj, nuk mund kalohet në raundin e dytë. Andaj mospjesëmarrja e numrit të caktuar të deputetëve në votim të cilët e përbëjnë kuorumin natyrisht që cenon Kushtetutën dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
“Andaj, deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votim në mënyrë që të zbatohet drejt dhe në tërësi procedura e zgjedhjes së Presidentit të vendit”.
Pra sipas tij, dështimi për ta zgjedhur presidentin nuk e çon vendin me automatizëm në zgjedhje. Kjo lë të kuptohet se partia në pushtet, po synon të blejë kohë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partitë opozitare, PDK e LDK, dështuan të arrijnë pajtim për një figurë koncensuale për president, pavarësisht prej takimeve të realizuara mes liderëve.










