Edhe një aktvendim i Komerciales pezullon njoftimin e ZRRE-së

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar edhe për një tjetër aktvendim të Gjykatës Komerciale, i treti me radhë, që anulon njoftimin e ZRRE-së.

“Oda Ekonomike e Kosovës njofton për aktgjykimin e tretë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, i cili anulon njoftimin e ZRrE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë. Ky zhvillim konfirmon qartë se bizneset kishin të drejtë kur ngritën zërin kundër padrejtësive të ZRRE-së. Me vendimin e parë të Gjykatës Komerciale u dëshmua se e drejta është në anën e bizneseve, mirëpo vendimet tjera janë duke e përforcuar të drejtën e bizneseve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike për vendimin e Komerciales.

OEK-u konsideron se ka mjaftueshëm fakte që ZRRE-ja të reflektojë. “Dhe me këtë bëjmë thirrje ZRRE-së që ta pezullojë menjëherë njoftimin për daljen në tregun e lirë, përpara se të krijohen pasoja edhe më të rënda për biznesin, sidomos ndikimin negativ në konkurrueshmërinë e tregut, sepse tanimë ka biznese që ndikohen nga njoftimi, por që nuk kanë vendim nga Gjykata Komerciale e Kosovës”, thuhet tutje aty.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se bizneset që ndihen të dëmtuara nga ky vendim të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre. “Për ata që kanë nevojë për asistencë juridike, OEK ka themeluar një ekip juristësh i cili po ndihmon bizneset e prekura nga vendimi i ZRRE në përpilimin e akteve juridike kundër njoftimit të ZRrE-së”, përfundon njoftimi i OEK-ut.

The post Edhe një aktvendim i Komerciales pezullon njoftimin e ZRRE-së appeared first on Kosovapost.net.