Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti special ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nda dy muaj pesë të dyshuarve D.R., F.Q., Sh.K., D.M. dhe R.B., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale: “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti special më 21.03.2025 ka marrë aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M., u vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh, për secilin”, konfirmoi Gashi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 21 shkurt njoftoi se janë arrestuar pesë të dyshuarit në një operacion policor nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë.
“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. të cilët me vendim të prokurorit nga PSRK-ja janë ndaluar për 48 orë. Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm. Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lëndës narkotike, telefona celular si edhe dëshmi të tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, thuhej në njoftim.