Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të enjten, i akuzuari Shkumbin Kryeziu, i cili ngarkohet për vrasjen e V.Xh., në Hajvali më 10 dhjetor 2021, u deklarua sërish i pafajshëm. Në këtë seancë, dëshmoi edhe babai dhe daja i viktimës.
Fillimisht, në këtë seancë prokurori Arben Hoti, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Apelit, bëri një ndryshim në përshkrimin e dispozitivit të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I pandehuri Shkumbin Kryeziu më parë e në vazhdimësi deri më 10.12.2021 në Hajvali, Komuna e Prishtinës, me dashje dhe vetëdije e në kundërshtim me nenin 3, pika 1.7, lidhur me nenin 4, par.1, pika 1.4.4, të Ligjit për armët dhe nenin 2, par.1, pika 1.2.2 të Udhëzimit Administrativ 14/10 për armët e ftohta, pa autorizim ka mbajtë në posedim armën e ftohtë thikë, në atë mënyrë që i pandehuri pas veprimeve nga pika e parë e dispozitivit me rastin e ikjes në shtëpi e kur të njëjtit i shkojnë në kontroll policia, ai dorëzon mjetin e tillë, thikën me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, e cila i sekuestrohet dhe më pas vërtetohet se nuk është mjeti që është kryer vepra penale nga pika e parë”, lexoi prokurori.
Lidhur me këtë, mobrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Florent Latifaj kërkoi që i mbrojturi i tij të mund të deklarohet në seancën e radhës.
Ndërsa, i akuzuari Kryeziu u deklarua i pafajshëm për të dy pikat e aktakuzës.
“Për të dy pikat, deklarohna i pafajshëm”, tha i akuzuari Kryeziu.
Më pas, në fjalën hyrëse, prokurori Hoti deklaroi se do të vërtetohet përtej çdo dyshimi se në veprimet e të akuzuarit Kryeziu formësohen elementet e figurës së veprës penale të vrasjes së rëndë.
Ndërsa, avokati Latifaj në fjalën hyrëse deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse nga shqyrtimi paraprak, kurse ndër të tjera theksoi se do të vërtetohet përtej çdo dyshimi se kush është kryerës i veprës penale.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua daja i të ndjerit V.Xh, Kujtim Pacolli, i cili ishte me të ndjerin natën kritike, si dhe babai i të ndjerit i, dëmtauri Petrit Xhemshiti.
Dëshmitari Xhemshiti tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna më herët në Prokurori dhe në Gjykatë.
“Po, çka kam thanë qëndroj prapa tyre”, tha dëshmitari.
Dëshminë e tij para trupit gjykues e dha edhe dëshmitari Pacolli, i cili deklaroi se ishte bashkë me viktimën në natën kur ndodhi ngjarja, ku edhe e përshkroi atë që kishte ndodhur.
Sipas dëshmitarit Pacolli, ai së bashku me V.Xh., kishin zbritur nga autobusi në Hajvali, ku së bashku me ta kishte zbritur edhe tani i akuzuari Kryeziu, ndërsa tek oborri i shkollës po qëndronte i mituri A.K., ku kishte filluar fjalosja mes tij dhe nipit të tij V.Xh.
Pacolli tha se në atë moment kishte parë të miturin A.K., që mbante një thikë në dorë, ndërsa i kishte thënë tani të ndjerit të largohej nga aty.
“A. (i mituri), e ka nxjerrë një thikë edhe u nisë në drejtim tonin edhe i kam thanë të ndjerit ik se ka thikë”, deklaroi Pacolli.
Në rrëfimin e ngjarjes, dëshmitari Pacolli theksoi se gjatë ikjes ishte rrëzuar, ndërsa me të ngritur kokën kishte parë të akuzuarin Kryeziu së bashku me vëllanë e tij të mitur A.K., duke e goditur me thikë tani të ndjerin V.Xh.
“Kemi vazhdu me ikë, unë jam rrëzu jo shumë larg dhe kur jam çu, e kam çu krytë, e kam pa që ky i akuzuari edhe vëllau i tij A., janë kanë tu i ra me thika të ndjerit”, tha Pacolli.
Ndërsa, i pyetur për veprimet e të akuzuarit Kryeziu pas goditjeve ndaj të ndjerit, dëshmitari tha se ishin kthyer tek ai.
“Sa ka qenë tu e godit ai ju ka ikë prapë prej dore, edhe kanë vazhdu e kanë ndjek, edhe janë kthy prap te unë edhe ma kanë ba ecë se ty ma zi ta bajna”, tha dëshmitari.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar me datë 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet edhe një herë nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi të bëhet i njëjti.
Ndryshe, për veprën penale mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar.
Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor të vitit 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi, dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh., dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre duke i rënë rrugës më të shkurtë në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku te oborri i shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh me fjalët “çka po më kqyr”.
Ndërsa tani i ndjeri V.Xh, thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metra, dhe të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh “ik se ka thikë” dhe në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku me të miturin A.K e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli, ku i njëjti është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin me të miturin A., kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., që të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A., e godasin me thika në trup tani të ndjerin V., mirëpo ata kanë vazhduar që ta ndjekin dhe derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim duke i thënë “Ik se ta bajna ma zi se atina”.
Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur kur përnjëherë ishte rrëzuar për toke dhe ka qenë i tërë i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën” e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K., ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrim “Leatherman Sidekick” të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin 1 të aktakuzës dhe të cilën policia e kanë gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK–së