Edhe Kryeshefi i AUV-it u intervistua si i dyshuar, deklarohet avokati i tij

Përveç Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecit, sot nga Prokuroria Speciale është intervistuar edhe Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinasisë, Bekim Hoxha, lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Edhe ai, sikurse Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini. Qerkini tha se Hoxha ka dhënë deklaratën dhe se është liruar në procedurë të rregullt.

“z.Hoxha është intervistuar. E ka dhënë një deklaratë. Konsiderojmë që nuk ekziston asnjë lloj dyshimi se ka kryer ndonjë vepër penale. Për vazhdimin e hetimeve do t’u mbajmë të informuar. Në cilësinë e të dyshuarit, mirëpo është liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Qerkini për media.

Ky intervistim ndaj Hoxhës, vie pas bastisjes që është kryer në këtë institucion lidhur me kontratën për fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Aksioni i Policisë së Kosovës nisi mëngjesin e së martës, ku bastisje u kryen në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës.