Edhe java e fundit e majit do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Si rrjedhojë, dita e sotme u karakterizua nga diell dhe vranësira të pakta, ndërsa në disa zona pati reshje të izoluara shiu. Temperaturat shënuan një ngritje të ndjeshme pas fundjavës së kaluar, kur kishte një rënie drastike prej rreth 10°C maksimalet.
Të martën parashikohet mot me diell dhe vranësira, me mundësi për rrebeshe të izoluara në zona të caktuara.
Të mërkurën do të vijojë moti me diell dhe vranësira, megjithatë nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara shiu.
Nga dita e enjte, pritet të depërtojnë masa ajrore të ftohta dhe të lagështa nga veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Po ashtu, temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme.
Të premten parashikohet mot me vranësira dhe intervale me diell, me mundësi për reshje të izoluara shiu.
Edhe fundjava parashikohet me diell dhe vranësira, ndërsa në disa zona nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriperëndimit dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15 deri në 50 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale nga 14 deri në 25°C./Meteo Kosova