“Edhe Gjakova lajmëroi për fletëvotime me gabime si të Mitrovicës”, KKZ: Ne e zbuluam para se të nisë votimi

Në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për balotazhin e 9 nëntorit janë evidentuar gabime jo vetëm në Mitrovicën e Jugut, por edhe në Komunën e Gjakovës.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtari kryesor i Komisionit Zgjedhor Komunal në Gjakovë, Amir Rexha.

Rexha tha se gabimet janë vërejtur para se të niste procesi i votimit dhe se asnjëra prej fletëvotimeve të pasakta nuk ka përfunduar në kuti.

“Saktë, ka ndodhur, por nuk janë fletëvotime që janë futur nëpër kuti. E kemi vërejtur para se të nisë procesi. Diku rreth gjashtë raste, më duket. Ka qenë në balotazh. Komisionerët në momentin që i kanë pranuar, i kanë vërejtur dhe i kanë verifikuar kodet me numrin e vendvotimit,” deklaroi ai për Reporteri.net.

Mbrëmë KQZ ka konfirmuar se një rast i ngjashëm me gabime në njërin prej elementeve të  fletëvotimit – konkretisht në kodin e vendvotimit ka ndodhur edhe në Gjakovë.