Mbretëria e Belgjikës është duke e eksploruar mundësinë që të dërgoj të burgosur për të vuajtur dënimet në burgje në Kosovë në mënyrë që të adresojë mbingarkesën e kapaciteteve në burgjet e Belgjikës.
Kështu njofton agjencia e lajmeve “Belga” duke cituar ministren e Drejtësisë Annelies Verlinden. Kjo ministre në një debat në Parlament ka thënë se Qeveria federale e Belgjikës është duke e shqyrtuar mundësinë se a të marrë me qira apo të ndërtojë objekte burgu në vendet tjera evropiane ku do të dërgoheshin shtetasit e huaj që janë duke vuajtur dënimet në Belgjikë.
Gjatë këtij debati Kosova është përmendur si një lokacion potencial.
Agjencia belge ka rikujtuar se marrëveshja për formimin e koalicionit përmban edhe nismën për adresimin e mbingarkesës së kapaciteteve të burgjeve në Belgjikë ku dënimin janë duke e vuajtur rreth 13.000 të burgosur ndërkohë që kapacitetet janë 11.000, raporton koha.net
“Ministrja e drejtësisë Annelies Verlinden i ka thënë Parlamentit të mërkurën se Kosova është një opsion serioz. Megjithatë, ka thënë ajo, përshtatja e objekteve me standardet evropiane kërkon kohë. Çmimi i vlerësuar për një marrëveshje të tillë do të ishte 202 milionë euro për periudhën dhjetëvjeçare” shkruan agjencia belge duke rikujtuar se Danimarka tashmë ka një marrëveshje të tillë me Kosovën.