Këngëtarja Adelina Ismaili është përkrahur me 20 mijë euro nga fondet e taksapaguesve kosovarë, disa muaj pasi u pozicionua publikisht në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Gjashtë muaj pasi shprehu haptasi mbështetjen e saj për Lëvizjen Vetëvendosje, Adelina Ismaili është “kompensuar” financiarisht nga pushteti qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), e udhëhequr nga Hajrulla Çeku, e ka përkrahur këngëtaren me një grant në vlerë 20 mijë euro.
Granti, i destinuar për projekt-propozime të individëve në fushën e artit, është aprovuar më 1 gusht të këtij viti, raporton Paparaci.
Bazuar në listën preliminare të fituesve, rezulton se këngëtarja prishtinase është në mesin e rreth 200 individëve të mbështetur financiarisht. Shuma e grantit të saj, 20 mijë euro, është më e madhe sesa e secilit prej individëve të tjerë fitues në këtë thirrje.
Ismaili është përkrahur financiarisht për mini-albumin e fundit të saj. “Grua”, që doli në publik një muaj më parë, është një mini-album apo “Extended Play” – që në zhargonin e muzikës dhe përkthyer në gjuhën shqipe i bie të jetë një album i shkurtuar.
Mini-albumi, përmban pesë këngë me motive feministe.
Me publikimin e projektit muajin e kaluar, këngëtarja e cilësoi projektin një dedikim për “ato që filluan revolucionin e fundit në Kosovë: gratë dhe vajzat që guxojnë t’i thonë STOP dhunës”.
Për shumëkënd, për karrierën e saj dhe veprimtarinë artistike në vitet 90′ dhe sidomos në fillim vitet 2000′, Adelina Ismaili konsiderohet ‘diva’ e muzikës shqiptare./Paparaci