Edhe 450 mijë euro nga buxheti i Prishtinës ‘djegën’ për vendime gjyqësore në mars

Vendimet gjyqësore i kanë kushtuar Komunës së Prishtinës afro 700 mijë euro vetëm gjatë shkurtit 2025. Ndërsa, në mars, një shumë prej gati gjysmë milioni euro është shpenzuar për të njëjtën arsye, sipas raportit që ka parë Demokracia.com. Vetëm vitin e kaluar, komuna ka përballuar pagesa mbi 10 milionë euro në këtë kategori.

Në raporti e muajit marsit 2025, të cilin e ka parë Demokracia.com, prezanton të dhëna mbi pagesat në të gjitha kategoritë. Në dokument, shihet se gjatë muajit të kaluar komuna ka paguar rreth 450 mijë euro në emër të shpenzimeve gjyqësore.

Në Drejtorinë e Administratës, figuron një pagesë në vlerë prej 434,995.73 euro.

Po ashtu në sektorin e shëndetësisë është kryer një pagesë prej 15,550.00 euro për shpenzime gjyqësore.

Demokracia.com ka raportuar se, sipas raportit financiar për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka paguar në vitin 2024, 10.5 milionë euro për vendime gjyqësore dhe përmbarime.

“Nëpërmes Thesarit, MF për përmbarime dhe vendimeve gjyqësore është ekzekutuar shuma prej: 10,582,866.64€. Në kategorinë e pagave dhe meditjeve kemi kompensime për paga jubilare dhe shujta ditore etj. Në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve: kompenzim dëmi, kompensim dëmi jo material, lëndë përmbarimore etj. Në kategorinë e shpenzimeve kapitale kemi lëndë: kompensim i pronës, shpronësim, kompenzim për inflacion, etj”, thuhet në raportin që e ka parë Demokracia.com.

Nga kjo shumë:

  • 3.7 milionë euro janë marrë nga paga dhe mëditje për kompensime të ndryshme.
  • 714 mijë euro janë paguar për mallra dhe shërbime.
  • 6 milionë euro janë paguar për investime kapitale, kryesisht për kompensime të pronave dhe shpronësime.

Fakti që komuna është e detyruar të paguajë shuma kaq të mëdha përmes përmbaruesve privatë tregon se institucionet kanë dështuar të përmbushin obligimet në kohë, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare.

Buxheti i Komunës së Prishtinës po përballet me një barrë të rëndë financiare, siç dëshmohet nga raportet e fundit për vitin 2014 për detyrimet kontingjente dhe shpenzimet për përmbarime. Sipas të dhënave të publikuara, detyrimet kontingjente të komunës arrijnë në një total alarmues prej 80.2 milionë euro.

Sipas raportit të komunës, detyrimet kontingjente janë:

Janar – dhjetor 2024

  • Paga dhe mëditje: 776 mijë euro
  • Mallra dhe shërbime: 19.8 milionë euro
  • Shpenzime kapitale: 59.6 milionë euro
  • Lëndë të papërcaktuara: Shuma e paspecifikuar.

Fjala ‘kontingjente’ në këtë kontekst sugjeron detyrime apo pagesa që janë të pashmangshme dhe mund të lindin nga një çështje ligjore apo situatë e paparashikueshme. ‘Zyra e përfaqësimit juridik’ do të thotë që është një departament ose një entitet që përfaqëson ose mbron interesat juridike të një organizate apo entiteti. Kështu, ‘Raporti i detyrimeve kontingjente nga Zyra e përfaqësimit juridik’ do të jetë një dokument që dokumenton detyrimet ose pagesat e mundshme, të cilat organizata ose entiteti mund të përballet me bazë në çështje ligjore aktuale apo të ardhshme.

“Detyrimet kontingjente janë pretendime financiare që mund të shndërrohen në obligime vetëm nëse konfirmohen nga vendime gjyqësore përfundimtare. Në rastin e Kryeqytetit, rreth 58 milionë euro nga këto detyrime janë fituar në shkallën e parë të gjykatës, ndërsa pjesa tjetër përfshin procese ende në shqyrtim ose pa vendim të formës së prerë. Si çdo komunë në Kosovë, Kryeqyteti ka të drejtën ligjore të padisë dhe të paditet, por kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi financiare”, kanë bërë të ditur nga Komuna. /Demokracia.com/