Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ende 12 ditë kohë për të formuar Qeverinë e re, por ende nuk ka nisur bisedimet me partitë tjera. Nisma Socialdemokrate pranon dialog vetëm me një kusht, ndërsa analistët parashikojnë zgjedhje të reja për shkak të mungesës së numrave për një qeveri Kurti 3.
Kanë mbetur edhe 12 ditë kohë për mandatarin, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti që të gjejë mundësi e të mbledhë numrat për të formuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Pavarësisht që afati kushtetues po rrjedh, Kurti duket se nuk po shqetësohet fortë pasi që siç tha ai, nuk nisur komunikimet me partitë për çështje të nivelit qendror.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”, ka thënë Kurti
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja sërish konfirmojnë “jo”-në e tyre për qeverinë “Kurti 3”
Ndërkohë, Dukagjini ka përcjell pyetje tek zyrtarët e partive tjera parlamentare nëse do t’i përgjigjen pozitivisht një ftese eventuale të VV-së për takime por ata nuk kanë dhënë përgjigije.
Një qëndrim i vetëm ka dhënë deputetja Xhevahire Izmaku e NISMA-s, parti e cila ka vendosur kusht largimin e Dimal Bashës nga karrigia e kryeparlamentarit në mënyrë që të mund të diskutonte me Kurtin.
“Nëse fillohet ka me fillu me karta të reja, gjithçka nga fillimi. Edhe formimi i Kuvendit, edhe një kryetar tjetër i Kuvendit. Ulemi në tavolinë dhe flasim për një situatë të re politike duke menduar gjithmonë se vendi ka nevojë për formimin e institucioneve” , ka thënë Izmaku.
Por, sipas analistit, Afrim Kasolli nuk do të ketë zgjidhje ndërmjet bashkëpunimeve, kësisoj vendin e presin zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe vet është i vetëdijshëm që nuk i ka numrat për formimin e një qeverie Kurti 3 dhe vetëm po pret sa të skadon afati kushtetues. Ambienti politik në të cilën ndodhemi e bën të pamundur krijimin e një qeverie të tillë”, ka thënë Kasolli.
Kurti si fitues i zgjedhjeve të nëntë shkurtit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe si mandatar sipas Kushtetutës, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
AAK i thotë jo bashkëpunimit me Kurtin: Ose qeveri me partitë ish-opozitare ose zgjedhje