E vëteton Kadaj-Bujupi: Haradinaj është lideri më proamerikan në Ballkan dhe Europë

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se taksa e vënë ndaj Serbisë nuk do të ketë ndikim  në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-së.
“Nuk mund të prishen raportet e ndërtuara me dekada, sidomos jo për shkak të Serbisë. E dimë që Serbia në muajt e fundit ka ndërmarrë fushatë intensive duke shpenzuar miliona e miliarda të parave të saj të cilat janë përfituar nga tregu i Kosovës”.
“Çnjohjet dhe fushata agresive e Serbisë është përpjekje që ta zhbëjë shtetin e ri. Thirrjet për t’i lënë hapësirë dialogut duhet të drejtohen kah Serbia”, ka thënë Kadaj-Bujupi, njofton Klan Kosova.
Sa i përket këmbënguljes së Kryeministrit Ramush Haradinaj që kjo tarifë të mos pezullohet me gjithë kërkesën e Amerikës, ajo ka thënë se kjo assesi nuk e bën atë antiamerikan.
“Ne më tepër po bëhemi zëdhënës të amerikanëve. Mund të konfirmoj se Haradinaj është lideri më proamerikan, jo vetëm në Kosovë, por edhe Ballkan dhe Europë. Të gjitha veprimet e tij nga viti 1999 e kanë konfirmuar këtë”, është shprehur Kadaj-Bujupi në Info Magazine.
“Parimisht, jemi për të respektuar të drejtën për tregtinë e lirë, e drejtë e cila respektohet. Kur bëhet fjalë për Serbinë, ajo duhet të reflektojë dhe të krijojë hapësirë për rajonin. Përderisa nuk reflekton dhe vazhdon me fushata të egra në raport me shtete fqinje nuk mund të presë diçka tjetër përveç reciprocitetit”.
Kadaj-Bujupi ka thënë se Kryeministri Haradinaj ka përkrahjen edhe të qytetarëve që të mos tërhiqet nga qëndrimi për taksën.
“S’bëhet fjalë për qëndrime populiste. Qëndrimi ynë është kundër çfarëdo lëshimi pe me Serbinë dhe sidomos në raport me kufijtë. Është obligim kushtetues që të mbrohet integriteti dhe sovraniteti i vendit”.

Pas publikimit të një fotografie ku shihej në ambientet e një spitali, këngëtarja Dafina Zeqiri është detyruar të reagojë publikisht ndaj zërave që sugjeronin se ajo kishte shkuar për të lindur. Artistja, e cila ndodhet në ditët e fundit të shtatzënisë, ka hedhur poshtë këto spekulime përmes një reagimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale. Në një InstaStory, ajo u shpreh e revoltuar duke thënë: “Jeni tu dek për një exclusivitet që s’keni me marrë KURR! Lëreni të qetë shtatzëninë time”. Foto: Dafina Zeqiri/InstaStory Me këto fjalë, Dafina kërkoi qartësisht respekt për privatësinë e saj në një nga momentet më të ndjeshme të jetës. Gjatë kësaj periudhe të veçantë, këngëtarja ka vazhduar të jetë shumë aktive në skenën muzikore, duke publikuar projekte të reja dhe duke u shfaqur e sigurt dhe krenare me barkun e saj të rrumbullakosur. Klipi i saj i fundit muzikor, i lansuar vetëm pak ditë më parë, është pritur me entuziazëm nga publiku dhe fansat e saj të shumtë, duke dëshmuar se përkushtimi i saj ndaj artit nuk është ndalur as në prag të lindjes.