E vërteta e FSK-së, përtej iluzionit të shifrave dhe propagandës së Kurtit e Muratit

Në realitetin e infinit propagandës së viteve të fundit nga qeveria Kurti, ndër më grotesket ishte ajo e mburrjes për çështjen e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe krahasimi i tij me atë të qeverive Haradinaj e madje edhe Mustafa. Në nukleus të këtij narracioni fshihet qëllimi i krijimit të perceptimit se, kinse, është Vetëvendosje prapa një FSK-je, të shndërruar sot në institucionin më të besueshëm të sigurisë nga qytetarët e Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, njëkohësisht ministër në detyrë i Financave në qeverinë – pa afat – të Kurtit, publikoi një grafik, përmes të cilit pretendon të ekspozojë hendekun e thellë – sipas interpretimit të tij – mes përkushtimit të Qeverisë Kurti ndaj FSK-së dhe të qeverive paraardhëse.

“Si ka ecur nëpër vite buxheti për FSK-në?

Me ardhjen e Qeverisë Kurti, ushtrisë sonë i është dhënë prioritet maksimal. Për vetëm 5 vite buxheti është 4-fishuar, duke tejkaluar kështu edhe planin e tranzicionit.

Kurse me qeveritë e kaluara buxheti i shpenzuar për ushtrinë nuk e kalonte asnjëherë nivelin prej 50 milionë eurove, siç edhe mund të shihet nga grafikoni më poshtë.” – shkroi Murati në Facebook, bashkëngjitur grafikun që tregon rritje eksponenciale të shpenzimeve për FSKnë nga viti 2018 e tutje.

Në deklarime të tjera mbi këtë çështje, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përçonte një propagandë të pabesueshme, duke pretenduar se qeveritë e mëparshme “ose s’donin” të investonin në mbrojtje, ose, sipas tij, “partnerët tanë s’ua shitnin” armët.

“A thua pse qeveritë e kaluara nuk kanë blerë armatim për ushtrinë? Ose s’kanë dashtë ose s’ua kanë shitë?”, pyetes Kurti gjatë një fjalimi në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit. “Po ua lë juve, pse këta s’kanë ble armatim për ushtrinë tonë?”, vazhdonte ish-kreu i qeverisë, shkruan Nacionale.

Si qëndron e vërteta?

Procesi i shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri të mirëfilltë nuk ishte i menjëhershëm, por një rrugëtim i gjatë që nisi që nga shpallja e pavarësisë. Fillimisht, në vitin 2008, Kuvendi miratoi ligjin që themeloi FSK-në, duke ia përcaktuar asaj një mandat të kufizuar. Në atë kohë, forca ishte paraparë vetëm si trupë pa pajisje të rënda ushtarake si tanke apo artileri. Ky kufizim vinte si pasojë e një sitaute komplese të Kosovës dhe rrethanave ndërkombëtare të sigurisë.

Pas gati një dekade përgatitjesh dhe tranzicioni, me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s, më 14 dhjetor 2018 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshime ligjore që e ngritën FSK-në në nivelin e një force ushtarake shtetërore. Ligji i ri e përcaktonte qartë rolin e saj: mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe sigurinë e qytetarëve dhe interesave kombëtare.

Po ashtu, në dispozitat e tij theksohet se FSK-ja do të jetë e pajisur me armatim dhe sisteme të nevojshme për kryerjen e detyrave të saj si ushtri moderne. Ky hap përmbylli një proces shumëvjeçar, duke i hapur rrugën investimeve në transformimin nga një force e kufizuar sigurie në një institucion me kapacitete të plota ushtarake.

Aktualisht, FSK po vazhdon planin e tranformimit dhe tani është në fazën e tretë – e cila veç tjerash nënkupton edhe ndërtimin e kapaciteteve ajrore për FSK-në.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, kishte njoftuar disa muaj më parë rreth nismës për lidhjen e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – sipas planit për transformimin e FSK-së të vitit 2018.

“Kemi mbështetjen e ShBA-së për blerjen e këtyre helikopterëve. Sic kemi edhe mbështetjen për blerjen e shumë sistemeve tjera në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit që parasheh ndërtimin e kapaciteteve që nënkupton periudhën prej tani deri në vitin 2028”, kishte deklaruar Maqedonci.