Qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati vazhdimisht është krenuar me Policinë e Kosovës me luftimin e strukturave paralele në veri të vendit.
Në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri, pjesëtarët e policisë vlerësoheshin si heronj. Por, në prag të festes së Fitër Bajramit, ata nuk kanë marrë pagën e merituar.
Policisë së Kosovës për muajin mars iu kanë dal vetëm paga bazë. Në këtë mënyrë, ata nuk janë paguar për orët shtesë dhe ato të ndërrimit të natës. Ministria e Financave nuk ma marrë përgjegjësi për këtë çështje.
Ndaj një veprimi të tillë ka reaguar ashpër Sindikata e Policisë së Kosovës.
Në reagimin e tyre, sindikata ka vlerësuar se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e zyrtarëve policorë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë. Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme”, është në reagim, duke kërkuar nga Ministria e Financave të ekzekutojë pagesat e prapambetura.
“Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje. Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike”, është thënë në reagimin e policisë.
Sindikata e Policisë e Kosovës ka vlerësuar se nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara.
Kurse, Ministria e Financave është munduar të sqaroi çështjen e mosekzekutimit të pagave dhe shtesave tjera.
Në sqarimin e saj, ministria është munduar ta hedh fajin të organizatat buxhetore.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përderisa shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave, e sheh të nevojshme të sqarojë se përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse. MFPT, përkatësisht Thesari, vetëm sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale”, është thënë në sqarimin e ministrisë, duke dhënë detaje tejra.
“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë. Çdo tejkalim i ndarjes buxhetore proporcionale mujore, mund të rezultojë në situata ku bëhet i pamundur ekzekutimi i plotë. MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit”, është thënë në sqarim.
Për mosekzekutimi e këtyre shtesave, ka reaguar ashpër opozita.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, se kjo është papërgjegjësi e qeverisë.
“Mashtruesit që nuk ndalen së thirruri në emër të sigurisë, po bëjnë gjithçka që munden ta shkatërrojnë pikërisht këtë sektor. Vija e parë e sigurisë, policia jonë e jashtëzakonshme, nuk merr as atë që i takon minimalisht. Këta, në vend që t’ua dyfishojnë pagat kësaj kategorie esenciale të qenësisë dhe sigurisë së Kosovës, nuk ua paguajnë as orët shtesë dhe ato të ndërrimit të natës. Këto skandale janë alarmante dhe i shkojnë për shtat vetëm atyre që janë armiq të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka kritikuar qeverinë në detyrë.
“Ne po jetojmë në anarki dhe në pasiguri totale. Shteti po shkon drejt kolapsit nga një kryeministër hileqar, që shkel ligjet, rregullat dhe kushtetutën. Që policët, ushtarët, mjekët, zyrtarët shtetërorë i sheh si mjet për shërimin e traumave personale përmes shtypjes, denigrimit, nënshtrimit! Rryma shtrenjtohet, policët mbesin pa shtesa, qytetarët vriten në vendet e tyre të punës”, ka shkruar Behrami në profilin e tij në Facebook.