Një vajzë 17-vjeçare ka humbur jetën në festivalin Kendal Calling, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Policia bëri të ditur se shërbimet e emergjencës u thirrën në ambientet e festivalit, në rajonin e Lake District në Cumbria, pas raportimeve se adoleshentja kishte pësuar një emergjencë shëndetësore.
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipeve të emergjencës, përfshirë edhe kryerjen e reanimimit kardiopulmonar (CPR), ajo u shpall e vdekur në vendngjarje, shkruan Sky News, transmeton Klankosova.tv.
Familja e viktimës është njoftuar dhe po merr mbështetje nga oficerë të specializuar të policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Policia u ka bërë thirrje personave që ndodheshin pranë tendës Calling Out dhe Big Wheel rreth orës 02:00 të mëngjesit të paraqiten nëse kanë informacion që mund të ndihmojë hetimet.
Gjithashtu, autoritetet kërkojnë të kontaktojnë një grup grash që i orientuan ekipet e emergjencës drejt vajzës, pasi ishin shqetësuar për gjendjen e saj.







