E shkarkuar nga Osmani e Kurti, drejtoresha e SHISH pritet në Washington nga shefi i CIA’s

Drejtoresha e inteligjencës shqiptare (SHISH), Vlora Hyseni, ka udhëtuar muajin e kaluar drejt Washington, DC, për dy takime shumë të rëndësishme me figurat kryesore të shërbimeve inteligjente të SHBA-së. Hyseni kishte qenë zv/kryetare e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) deri në vitin 2021, atëherë kur u shkarkua nga dyshja Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Metro.

Raportohet se në takimin me John Ratcliffe, Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) së SHBA-së, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.

U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.

Në kryeqytetin amerikan, zonja Hyseni u takua edhe me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.

Në takimin me znj.Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Vlora Hyseni ishte shkarkuar prej postit të saj në AKI në fillim të marrjes së mandatit nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Në qershor të vitit 2021 ajo është shkarkuar nga ky post. Nga Zyra e Kryeministrit u njoftua se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, morën vendim për shkarkimin e Hysenit.

“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej atëbotë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Por, ky vendim nuk e la zonjën Hyseni pa mundësi të tjera. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte ftuar menjëherë Hysenin në Shqipëri dhe e kishte bërë drejtoreshë të inteligjencës shqiptare.

/gazetametro.net