Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.H pasi që ky kishte shantazhuar një person tjetër me iniciale B.P se do ta shpëtojë nga Gjykata Speciale duke i kërkuar shumën deri në 190 mijë euro.
Ai është paraqitur rrejshëm si bashkëpunëtor dhe person me ndikim te prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale në Hagë dhe më vonë prezantoi provat në rastet e imagjinuara ndaj tij.
Ai fillimisht i ka kërkuar shumën e të hollave prej 850.000.00 euro, pastaj shumën prej 360.000.00 euro dhe së fundmi 190.000.00 euro.
Por, kanosja e kërcënimi nuk përfundon këtu.
E.H. i ka dërguar edhe vajzës së të dëmtuarit mesazh me përmbajtje “Babai yt është në rrezik dhe ti mundesh me evitue situatën“ duke synuar që t’i merr paratë e kërkuara.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri E.H. nga muaji qershor i vitit 2019 e deri më 10.03.2020, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka tentuar që ta detyrojë të dëmtuarin B.P. që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke përdorur kanosjen serioze se i njëjti do të gjykohet nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë po qe se nuk ia dorëzon shumën e kërkuar të të hollave”.
Më 10.03.2020, i pandehuri E.H arrestohet dhe vepra i mbetet në tentativë.
Me këto veprime i pandehuri E.H. ka kryer veprën penale “Detyrimi në tentativë” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.