Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në Lipjan, ku një grua e ka denoncuar vjehrrin e saj për dhunë, duke raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga ai.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se 43-vjeçarja ka thënë në Polici se incidenti ka ndodhur teksa ajo po pastronte xhamat e banesës.
Sipas saj, në atë moment, babai i bashkëshortit të saj, i ka kërkuar që të mos përdorë leckën që kishte, por një tjetër. Nga ky shkak, mes tyre ka nisur një mosmarrëveshje, e cila ka eskaluar në dhunë fizike.
Sipas viktimës, i dyshuari e ka goditur disa herë në trup, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se ai kishte në dorë një thikë kuzhine, por nuk e ka përdorur gjatë incidentit.
Lidhur me rastin është njoftuar hetuesi i dhunës në familje si dhe prokurori i shtetit.
Hetimet fillestare në lidhje me këtë ngjarje kanë filluar, ndërsa rasti është inicuar si “Dhunë në familje”.
Ndërkaq, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.