Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj i është rikthyer sërish rastit të prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, i cili po hetonte listat e veteranëve të luftës së UÇK-së.
Ish kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka folur për rëndësinë e emancipimit të femrës në vendin tonë, duke thënë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë shumë punë në lidhje me çështjen e të drejtave të barabarta të tyre, duke e theksuar edhe rëndësinë e gruas në politikë, shkruan lajmi.net.
“Është me interes për me i dhënë përparësi femrës në vendimmarrje dhe politikë. Mendoj që në qeverinë e ardhshme duhet me i dhënë përgjegjësi, sepse kemi femra të afta, pra pse jo edhe ndonjëra prej tyre të bëhet ministre e arsimit”.
“Kam qenë i zëshëm për të drejtat e femrës sidomos në trashëgimi, kur e dimë që në zonat rurale femra nuk e gëzon këtë të drejtë. Kemi bë sensibilizim që femra të përfshihet në trashëgimi”.
Ish udhëheqësi i qeverisë zbuloi edhe disa mungesa në ligje të shtetit tonë: “E filluam edhe një ligj për qeverinë. Është pak e çuditshme mos me pas ligj për qeverinë. Kosova është mirë të vazhdojë më tutje me i zgjidh këto të panjohura. Në rastin e dorëheqjes së qeverisë p.sh. kushtetuta jonë i ka paraparë përgjegjësitë e qeverisë së shkarkuar po jo asaj të dorëhequr”.
Ai foli po ashtu edhe në lidhje me akuzat e njohura si “kapja e shtetit”, duke thënë se “si kam mundur me e kap shtetin unë kur kam qenë jashtë përgjegjësive dhe prapa grilave, pra nga viti 2005 deri me 2017 unë nuk kam pasur ndonjë kompetencë shtetërore. Nuk mund të jem meritor për kapjen e shtetit kur me 2017 i kam marr detyrat në punë”.
Haradinaj u sqarua edhe për çështjen e prokurorit Blakaj, duke thënë se ai s’ka reaguar ndaj prokurorit, por ndaj qytetarit Blakaj, meqë sipas tij ai e ka lënë lëndën e papërfunduar dhe është larguar nga vendi dhe nga atje u është drejtuar opinionit.
“Pra unë kam reaguar ndaj qytetarit dhe jo ndaj prokurorit, sepse ai është larguar nga detyra e prokurorit dhe në atë formë dhe i jam drejtuar. Ashtu si unë që nuk doja të shkoja në Gjykatë Speciale si kryeministër por dhashë dorëheqje dhe atje shkova si qytetar”, u shpreh Haradinaj.