Seanca e Gjykatës së Apelit për rastin Lagja e Trimave ka vazhduar sot, pa prezencën e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, të cilët dje në shenjë revolte e lëshuan sallën, shkruan Gazeta Lajm.
Derisa në seancën e djeshme prokuroria ka prezentuar edhe një herë aktakuzën e pandryshuar, séance e sotme ka vazhduar me paraqitjet e avokatëve mbrojtës.
Avokati i disa prej të akuzuarve në Lagjen e Trimave Elenko Millanov ia rikujtoi gjykatës një ndodhi të çuditshme gjatë gjykimit në shkallën e parë teksa po merrej në pyetje një pjesëtar i njësitit policor që atë ditë kishte shkuar për bastisje në Lagje.
Millanov kujtoi se si derisa polici tregonte se kolegu i tij polic kishte arrestuar Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecajn, se si ua kishte vendosur prangat, ishte ndalur rryma. Dhe pas 20 minutash pauzë, kur polici ishte rikthyer të dëshmojë, atëherë kishte ndryshuar deklaratën dhe fliste për gjëra të tjera. Kjo edhe më shumë e rriste dyshimin për likuidimin e liderëve të grupit pas dorëzimit.