E pranon Kurti: Jemi Qeveri në detyrë me kufizimet që parasheh Kushtetuta

Kryeministri, Albin Kurti, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke njoftuar se Qeveria e tij ka kaluar në fazën kalimtare të funksionimit.

Në një postim në Facebook, Kurti bëri me dije se mandati katërvjeçar i Qeverisë, i udhëhequr nga ai, ka përfunduar zyrtarisht më 23 mars 2025.

Sipas Kurtit, ky përfundim e ka çuar Qeverinë në një status të ngjashëm me një qeveri në dorëheqje, duke ruajtur të gjitha funksionet dhe detyrat e saj deri në formimin e një qeverie të re.

“Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike”, ka shkruar Kurti.

Sipas ligjit, mandati i çdo anëtari të Qeverisë ka përfunduar, por ata do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre deri në formimin e një Qeverie të re, duke siguruar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.

“Në përputhje me nenin 29, par. 1, nënpar. 1.4 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mandati i secilit anëtar të Qeverisë po ashtu përfundoi më 23 mars, bashkë me përfundimin e mandatit të Qeverisë, pa pasur nevojë për aktin shtesë dhe formal të dorëheqjes prej posteve të tyre përkatëse sipas nënparagrafit 1.3 të po të njëjtit paragraf dhe nen.

Në këtë rast, Ligji parasheh që Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre, duke respektuar plotësisht kufizimet e parashikuara nga neni 30 të Ligjit të lartcituar, si dhe kërkesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria jonë (që në popull quhet Kurti 2) do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve”, ka shkruar Kurti në Facebook.