Nuk është akti i parë vandal që pëson murali i “Super Lamine Yamal” ditët e fundit. Kësaj here, grafiti ku ai shfaqet i veshur si “Superman” dhe që u bë “viral”, është sulmuar duke iu shtuar figurat e shtatë xhuxhëve nga filmi klasik i Disney-t, si referencë ndaj polemikës që lindi pas punësimit të personave me akondroplazi në ditëlindjen e 18-të të yllit të Barcelonës.
Vepra e “TVBoy”, e cila portretizonte Lamine Yamal në një mural në lagjen Gràcia si nderim për ditëlindjen e tij të 18-të, pësoi vandalizmin e parë në mes të korrikut, që thuajse e shkatërroi vizatimin origjinal të artistit, por ai arriti ta restaurojë disa orë më vonë.
Ditëlindja e lojtarit të Barçës vazhdon të krijojë polemika për gjithçka që ndodhi rreth saj. Lamine, i shkëputur nga debatet që shpërthejnë në mjedisin e tij, jashtë fushës, vazhdon të jetë i përqendruar te loja dhe në miqësoren e fundit të Barcelonës në Seul, ku dha spektakël me lojë dhe gola.
Duhet kujtuar se kjo modë e neveritshme e vandalizimit të artit të rrugës, dedikuar futbollistëve, ka shkaktuar zemërim edhe tek Athletic Club. Murali i vëllezërve Williams u sulmua në kohën kur gjithçka tregonte se Nico do të transferohej te Barça për të luajtur me mikun e tij Lamine. Në fakt, klubi bask e përdori më pas atë mural për të shpallur rinovimin e kontratës së Nico me Athletic.
The post E portretizonte si “Superman”, vandalizohet murali i Lamine Yamal. I shtohen edhe… 7 xhuxhat appeared first on Telesport.