Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë deklaruar se do ta formojnë Qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve. Deri më tani disa kandidatë për deputetë nga radhët e partive të pakicave joserbe e në mbështetjen e të cilëve llogarit LVV-ja, ose kanë vendosur kushte, ose nuk janë pozicionuar ende për një bashkëpunim të mundshëm. E njohësi i rrethanave politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se kërkesat e dala nga partitë joshumicë do të harmonizohen porse Qeveria e LVV-së vetëm me pakica do të ishte e përkohshme.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka konfirmuar nëse e ka mbështetjen e të gjithë kandidatëve për deputetë nga radhët e partive të pakicave joserbe për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës.
LVV-së i takon që e para të provojë ta formojë Qeverinë, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Deri më tani bashkëpunimin me LVV-në e kanë hedhur poshtë partitë kryesore aktualisht në opozitë.
Në zgjedhje LVV-ja i ka siguruar 48 mandate në Kuvend e për ta formuar Qeverinë i duhen edhe 13 kandidatë për deputetë, të cilët kanë siguruar mandate në legjislaturën e ardhshme.
Për t’i siguruar numrat, krahas tre deputetëve nga radhët e partive parlamentare shqiptare apo atyre serbe, LVV-ja llogarit në votat e 10 deputetëve nga pakicat joserbe. Por një pjesë e tyre nuk janë pozicionuar zyrtarisht lidhur me mundësinë e bashkëpunimit për këtë çështje.
Veton Berisha, deputet nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, ka thënë se qëndrimin për ta mbështetur apo jo Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje do ta japë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
“Kam një vendim në parti që të mos deklarohem në media. Jemi në pritje të certifikimit të rezultateve dhe me pastaj, varësisht prej diskutimeve, edhe të vazhdojmë më tutje”, ka thënë ai.
Duda Balje, deputete boshnjake e Unionit Socialdemokrat, e ka kushtëzuar votën e saj pro Qeverisë së LVV-së me reformën në arsim dhe me themelimin e Komunës Boshnjake.
E Elbert Krasniqi, deputet i partisë egjiptiane Iniciativa e Re Demokratike (IRDK) që ka fituar mandat për Kuvend dhe që aktualisht e mban detyrën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka thënë se do ta vazhdojë bashkëpunimin me LVV-në. Ai i ka vlerësuar të padobishme kushtëzimet që deputetë të partive joshumicë i paraqesin për bashkëpunim.
“Besoj fuqishëm që të gjithë kolegët e mi nga komunitetet pakicë në Kosovë, që kanë fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë të bindur që politika e kushtëzimeve nuk funksionon dhe partneriteti zhvillohet në besimin e ndërsjellë”, ka deklaruar ai.
Problematike për LVV-në është vlerësuar se mund të jetë vota e deputetit të Partisë Unike Gorane (JGP), Adem Hoxha, i cili në legjislaturën e shkuar ka pasur më shumë bashkëpunim me deputetët serbë sesa me ata të komuniteteve të tjera. Një legjislaturë më përpara ai e pati braktisur grupin e komuniteteve “6+”, për t’iu bashkuar grupit parlamentar të Listës Serbe (LS), parti e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
KOHA ka kontaktuar Hoxhën për t’i marrë qëndrim rreth bashkëpunimit të mundshëm për formimin e Qeverisë, porse ai që prej dy ditësh nuk është përgjigjur. Krahas tij, janë kontaktuar edhe deputetë tjerë nga subjektet politike të pakicave joserbe që ende nuk janë pozicionuar lidhur me çështjen, porse as ata nuk kanë dhënë përgjigje.
As në LVV nuk i janë përgjigjur pyetjes së KOHËS nëse partia e ka të sigurt mbështetjen nga komunitetet joserbe. Por ministri Krasniqi ka thënë se ka vullnet në këtë drejtim.
“Mund të flas vetëm për veten, por nga diskutimi që kam edhe me kolegët e tjerë që janë edhe në qeveri, partnerë të kësaj qeverie Kurti II, vullneti i të gjithë atyre është që të jenë pjesë e qeverisë Kurti III”, është shprehur ai.
Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, ka thënë se kërkesat e shtruara nga deputetë të pakicave mund të harmonizohen dhe LVV-ja mund ta formojë Qeverinë e re, porse ka vlerësuar që kjo qeveri do të ishte e përkohshme.
“Mund ta votojnë edhe partitë e tjera ose të paktën deputetë dhe ajo ta marrë mandatin… Prandaj, me ndonjë deputet që mund t’i bashkëngjitet mund ta formojë qeverinë. Ajo qeveri do të jetë qeveri e pakicës, mund të jetë edhe fragjile, mund të jetë edhe stabile, por mund të jetë po aq edhe e përkohshme deri në zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ai, teksa ka vlerësuar se bazuar në forcat aktuale politike Qeveria më gjithëpërfshirëse dhe më afatgjate do të ishte ajo që do të mund të formohej mes LVV-së dhe PDK-së.
Në rast se LVV-ja nuk arrin ta formojë Qeverinë, mundësia për këtë më pas do t’i jepet partisë së dytë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, Partia Demokratike (PDK). Por Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike (LDK) që ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi të këtillë po qe se subjekti i tij nuk e merr postin e kryeministrit.
“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos nuk kemi pasur takim me partinë në pushtet. LDK e ka të qartë pozicionin e saj politik karshi LVV-së. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta. LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani dhe po ashtu kemi thënë që LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër”, ka thënë Abdixhiku të hënën pas mbledhjes së kryesisë të partisë.
Baraliu ka vlerësuar se kushtëzimet me pozita të larta ekzekutive, të paraqitura para certifikimit të rezultateve, tregojnë për mungesën e gatishmërisë për një qeveri të përbashkët të opozitës aktuale.
“Opozita tashmë me deklarimet e fundit, dje e pardje, ata janë pikë e pesë, si zakonisht të dezorganizuar, të paunifikuar dhe kontradiktorë me njëri-tjetrin në qëllime, kështu që ata kanë deklaruar faktikisht që nuk do të bëjnë qeveri as me Vetëvendosjen, po as edhe me njëri-tjetrin”, është shprehur ai.
E ndaj deklaratës së të hënës të Abdixhikut për pozitën e kryeministrit ka reaguar të mërkurën ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
“Si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht. Ky është standardi i mashtrimit që e kemi parë në të kaluarën. Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”, ka shkruar Çeku në Facebook.
Çekut i është përgjigjur nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka shprehur habinë për mënyrën e interpretimit të deklaratës.
“Këta a nuk kuptojnë çka themi ne, apo bëhen që nuk kuptojnë? Apo qëndrimet tona janë ‘sport i rëndë’ për ta? Ju kemi thënë e po ua themi prapë: A jeni fitues të zgjedhjeve? BËJENI QEVERINË! LDK, me vullnet të mirë, qëndron në opozitë! LDK, me vetëdije të plotë, nuk i ndryshon qëndrimet paraelektorale. Ato mbesin të njëjta, ato mbesin të shenjta!”, ka shkruar ajo.
Formimit të institucioneve të reja duhet t’i paraprijë certifikimi i rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Brenda 30 ditësh nga certifikimi, presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, atëherë presidentja duhet të kërkojë nga partia fituese që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.