Fillimi për Jobe Bellingham te Borussia Dortmund nuk po rezulton i lehtë. Vëllai i lojtarit të Real Madridit, i cili la Premier League këtë verë për një aventurë të re në Bundesligë, u zëvendësua mes dy pjesëve këtë fundjavë, pas barazimit 3-3 të ekipit të tij ndaj St.Pauli.
Trajneri Niko Kovac nuk hezitoi ta zëvendësonte, me lojtarin anglez që mbeti në dhomën e zhveshjes për pjesën e dytë. Diçka që, sipas “Sky Sports Germany”, nuk u pëlqye aspak në rrethin më të afërt të familjes “Bellingham”, veçanërisht te babai Mark dhe nëna Denise. Ata, sipas këtij mediumi, madje guxuan dhe zbritën në dhomën e zhveshjes.
“Sky” raporton se pas sinjalit përfundimtar, u pa pranë zonës së lojtarëve Mark Bellingham duke diskutuar me intensitet me Sebastian Kehl, drejtorin sportiv të ekipit gjerman dhe mbështetësin kryesor të ardhjes së Jobe në klub disa muaj më parë. Një “vizitë” që, sipas mediave gjermane, nuk u prit mirë nga klubi i Dortmundit.
Vetë Sebastian Kehl ishte i prerë disa orë më pas për ngjarjen, pa përmendur ndonjë emër: “Të gjithë jemi të zhgënjyer me rezultatin. Megjithatë, dhoma e zhveshjes është dhe do të mbetet e rezervuar për lojtarët, trajnerët dhe drejtuesit, jo për familjet dhe këshilltarët. Kjo nuk do të ndodhë më. I kemi informuar qartë të gjithë të përfshirët”.
Në fakt, është e zakonshme që familjarët dhe agjentët e lojtarëve të shfaqen pranë dhomave të zhveshjes pas ndeshjeve, por pas këtyre fjalëve të drejtorit sportiv dhe ngjarjes me familjen “Bellingham”, klubi verdhezi pritet të jetë shumë më strikt.
The post E paprecedentë! Jobe Bellingham u zëvendësua…, prindërit iu sulën dhomës së zhveshjes së BVB appeared first on Telesport.