Matematika nuk i matematikon në asnjë format bashkëpunimi të mundshëm, që e ka përcaktuar vet, për të ndërtuar shumicë parlamentare dhe qeveri – por, në festën e shenjtë të Bajramit, Albn Kurti, dha fjalën se kjo punë kryhet.
Dhe atë krejt për një ditë, brenda këtyre tidhjetë ditëve që nga certifikimi i rezultatit zgjedhor.
Në ditën kur konstitutohet Kuvendi i Kosovës, kur betohen deputetët – m’u atë ditë do të jetë ditë e zgjedhjes së qeverisë së re të vet, me të në drejtimin e saj.
Këto ia tha Myftiut, Naim Tërnavës – sot, për Bajram.
“Pasi u publikuan rezultatet, është një seancë ku japim betimin. Synojmë një seancë për t’u zgjedhur edhe kryetari, kryesia, edhe qeveria, siç e kemi bërë edhe herën e kaluar në të njëjtën ditë”, tha Kurti.
Por, me 48 deputetë, me afirmimin se veç me pakicat jo serbe – që janë 10, dhe një nga pakica serbe si aleat qeveritar, Nenad Rashiqin – bëhen 59.
Duhet 61 për shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri – dhe 61 janë veçse një shumicë parlamentare për një qeveri me këmbë të drunjta.
Por, Kurti s’ka bërë me dije se ku do t’i merr ato dy ose tre deputetë të tjerë.
Gjer më tash Kurti dhe partia e vet kanë refuzuar kategorikisht futjen në çfarëdo ekuacioni partitë ish-opozitare, duke i denigruar edhe në terma shtazor si “hajvanë”.
Nga partia e vet Vetëvendosje, janë shprehur se qeverinë “e bëjmë vet”.
Vendi një mijë e një telashe, Kurti sytë kah zgjedhjet lokale.
Javë aspak e lehtë për Albin Kurtin – prej rënies pre e një mashtrimi të rëndë nga dy tallës rusë, presionit publik për mosshtrenjtimin e rrymës (i treti me radhë) dhe nisjes së rrjedhjes së afatave kushtutetuese për të konstituar Kuvendin e Kosovës ku s’ka numra për shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri të re.
Në krejt këtë peizazh Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, gjeti diçka të re për t’u komunikuar mbështetësve të vet: zgjedhjet lokale dhe projeksionet e tij për pritshmëritë se si duhet të përkthehen ato për Vetëvendosjen.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, shkroi ai.
Me numrat që s’i ka, opozita në anën tjetër supozohet të jenë duke zhvilluar bisedime në rast të dështimit eventual – jo larg mendësh – të Vetëvendosjes për të ndërtuar shumicë parlamentare.
Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se janë duke zhvilluar bisedime me partitë e tjera opozitare po qe se vihet te mandatari i dytë.
Ndryshe nga Kurti, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përgjigjur në interesimin e gazetarëve për këtë çështje.
Presidentja ka thënë se ekipi e saj ligjore është duke e analizuar situatën se kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit.
Shefja e shtetit ka thënë se data për këtë seancë do të dihet shumë shpejt.
“Ka ardhur shkresa zyrtare nga KQZ ku na njofton me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ulëset. Ka afat prej 30 ditësh që parashihet për thirrjen e seancës. Ekipa ime ligjore po analizon se sa mund të ketë nevojë për kohë, për përgatitje të seancës, në mënyrë që kur thirret seanca të jetë e suksesshme, gjithçka do të bëhet brenda afatit. Nuk mund të jap datë, por shumë shpejt do ta kemi datën”, ka thënë Osmani.
Bedri Hamza i PDK-së në një konferencë për media, ai ka konfirmuar se është duke bisedime me tri partitë opozitare për çështjen e formimit të qeverisë së re.
“Po, jemi në biseda. Dhe fatbardhësisht asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike nga ana ime nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu. Jemi në biseda edhe LDK, edhe AA, edhe me Nismën dhe me subjektet tjera”, ka thënë ai.
Hamza ka treguar se bisedat ende nuk kanë arritur deri aty se të flitet për poste.
“Nuk kemi mbërri deri në fazën se di do të duket formula e qeverisë, por jemi duke biseduar. Prandaj, nëse vjen radha, sigurisht e unë jam i përgjegjshëm dhe shumë i përkushtuar që vendit me i dhënë institucione. Nuk kem mbërri deri të çështjen e ndarjes së posteve”, ka thënë Hamza.