E nesërmja e vërteta: VV s’e kallëzon as emrin për kryetar të kuvendit, ish-opozita nuk ia voton

Në hall të madh numrash, Vetëvendosja ka lënë në terr publikun me premtime pa përmbajtje se “e bëjmë qeverinë” por pa treguar me kë.

Qytetari – e as vetë votuesi i Vetëvendosjes – nuk e di as emrin e Kryetarit të Kuvendit që do ta propozojnë në seancën themeluese të nesërme.

Këtë nuk duket t’a di as vetë “i përfoluri” për kryetar të Kuvend të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili veçse i ka ofruar votat e tij për një qeveri të re të Albin Kurtit.

“Nuk ka marrëveshje me Vetëvendosjen deri sot”, tha Limaj sot në paraqitjen e parë pas mëse dy muajsh për media.

E nesërmja pritet vetëm të hamendësohet në atë se si do t’i luajnë numrat Albin Kurtit.

Numrat për qeveri jo se jo, por edhe një tjetër hall numrash pritet ta gjejë nesër Vetëvendosjen.

Ndonëse partitë politike ish-opozitare janë shprehur në interes të seancës së nesërme, ka paralajmërime të prera – ndonëse ende jo vendime formale – se nuk do t’ia votojnë Kryetarin e Kuvendit të propozuar nga Vetëvendosje, shkruan Nacionale.

Me një Vetëvendosje e cila s’e ka 61’shin ende, gjërat s’duket të jenë në perspektivë të mirë për nesër.

Partia Demokratike e Kosovës ende pritet çdo çast të dalë edhe me vendim formal se a e votojnë ose jo për kryetar të Kuvendit.

Nga mbledhja në e Grupit Parlamentar të PDK-së, ku pritet të ketë edhe komunikatë për media, Nacionale kupton nga burimet brenda se është marrë vendim formal që nuk ia votojnë Vetëvendosjes të propozuarin e tyre për kryetar të kuvendit.

Paraprakisht Mërgim Lushtaku i PDK-së tha se “nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim”.

Para dy ditësh ishte vetë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e vendosi në pikëpyetje serioze nëse do t’ia votojnë VV-së kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

“Pse me ja dhanë votat e PDK-së? Pse duhet ne t’jua votojmë kryetarin? Nuk e kemi votuar as në të kaluarën”, tha Memli Krasniqi para dy ditësh.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk u përgjigjen për Nacionale nëse ka vendim formal për mosvotim të kryetarit të Kuvendit të Ksoovës, pyetur rreth deklaratës së nënkryetarit të tyre, Lutfi Haziri.

Ky i fundit e dha si qëndrim final se “jo”: nuk do të ketë votë të LDK-së.

“Nuk ka votë as për Kuvend as për qeveri, ky është qëndrim i LDK-së. Sidoqoftë, GP i LDK-së do të diskutojë nesër në mëngjes për përgatitjet e fundit lidhur me rolin tonë në seancën e konstitutimit të kuvendit. LDK ka qëndrim të pandryshueshëm. Tash VV e ka të drejtën, dhe fundja ia njeh kushtetuta”, tha Haziri për Gazetën Blic.

Kështu la të nënkutpojë vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, para dy ditësh.

“Një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për veti s’duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare. Minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e më pas shihemi për gjëra të tjera”, tha ai.

Por, Abdixhiku në shkrimin ku ia refuzoi ftesën Albin Kurtit “për takim konsultativ për formimin e Qeverisë së re” tha se si LDK nuk do ta pengojnë formimin e Kuvendit të Kosovës.

“LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës”, shkroi Abdixhiku.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “në princip” do ta votonte kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të kuvendit, por se për këtë gjë do të jetë në qëndrim në bllok me PDK-në dhe LDK-në.