“E nënshkroi Kurti”, Haziri hap arkivat: Në 2019 kishim marrëveshje me LVV-në që Mustafa të bëhet president

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri,  zbuloi pjesë nga marrëveshja me Vetëvendosjen për koalicion në vitin 2019.

“A e dini që në vitin 2019, në dakordim të plotë mes LDK-së dhe LVV-së, ka qenë kandidati i vetëm për president të Republikës, dhe kurrë në jetën e tij nuk e ka përmendur, kurrë nuk e ka keqpërdorur dhe kurrë nuk e ka treguar letrën me nënshkrim të Albin Kurtit,” tha ai, duke shtuar se Kurti atëkohë kishte pranuar për të.

“E ka larguar Glauk Konjufcën prej kryetarit të Kuvendit dhe e kemi zgjedhur Vjosa Osmanin,” tha ai.

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh edhe deputet, Lutfi Haziri në emisionin “Click” të RTV21 lidhur me koalicionin e LDK-së me VV-në në komunën e Vushtrrisë, tha se LDK këtë rast do ta shqyrtoj nga 10 nëntori.

“Nuk ka pasë komunikim formal, kërkesa e LDK-së jo vetëm e kryetarit ka qenë që të mos me u nënshkru dhe mos me ndërtuar koalicion në këtë fazë nga askush, specifikisht Vushtrria dhe kur thuhet jo është jo”, tha ai.

Për Xhafer Tahirin, Haziri tha se ai ka kaluar nëpër shkollë politike të LDK-së

“35 vjet mas me fillu me ja u spjegu secilit i cili kalon nëpër shkollë të LDK-së, Xhafa është njëri prej atyre që e kaluar nëpër shkollë politike”, tha ai.

Lutfi Haziri, u zotua se asnjë nga deputetët e LDK-së nuk do t’i japë votë Vetëvendosjes të dielën.

“Nëse dikush ka dhënë votë për LVV-në, jam unë,” tha ai, duke shtuar se, në rastin e  zgjedhjes së e kryetarit të Kuvendit, nëse do të ishin bërë 60 vota, ai do t’ia jepte Albulena Haxhiut të 61-tën.