Pas mbështetjes publike që shkrimtari dhe kritiku letrar, Rexhep Qosja, i dha Lëvizjes Vetëvendosje mu në prag të zgjedhjeve, këta të fundit një muaj pas i ndanë çmim për “Letërsi Shqipe” – që peshon 10 mijë euro.
Çmimin ia ndau personalisht Ministri i Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku, duke shkruar në superlativ për krijimtarinë letrare të Qosjes.
Ky çmim ka vlerë monetare 10 mijë euro, dhe është themeluar në vitin 2017.
Postimi i Çekut:
Sot pata nderin t’i ndaj Akademik Rexhep Qosjes çmimin “Letërsia Shqipe”, një vlerësim i merituar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën dhe letërsinë tonë.
Me veprën e tij letrare dhe studimet shkencore, Akademik Qosja ka ndërtuar një bibliotekë të tërë të mendimit albanologjik, kritik letrar, publicistik e historiografik. Ai është jo vetëm një studiues e shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe një zë i fuqishëm intelektual, protagonist aktiv në proceset e mëdha shoqërore të botës shqiptare.
Letërsia shqipe e ka Qosjen si një nga figurat e saj më përfaqësuese, dhe ky çmim, i cili jepet për herë të dytë që nga themelimi, është një shenjë mirënjohjeje ndaj tij, për një jetë të tërë në shërbim të kulturës dhe mendimit kombëtar.